Data 16 tetor e vitit 1983 edhe sot kujtohet nga gjeneratat e vjetra dhe të mesme, për një fitore të bujshme të Prishtinës në “Marakana” të Beogradit, me rezultat 3:1 ndaj Cërvena Zvezdës.
Fitore që kishte bërë bujë dhe në anën tjetër ishte si tërmet për Beogradin e Serbinë humbja e Cërvena Zvezdës.
Nuk përtypej dot ky kapitullim i Zvezdës saqë pas ndeshjes kishte pasur shumë të arrestuar (shqiptarë) nga Kosova madje edhe i burgosën disa kinse kanë provokuar me brohoritje.
Pamje nga ndeshja e 16 tetorit të vitit 1983
Mitar Mërkella i Cërvena Zvezdës kokulur e i mërzitur, e kishte pranuar: “Edhe pse mysafirët ishin me ofensivë, ne patëm disa raste, por nuk patëm fat. Prishtina me meritë fitoi dy pikët dhe nuk mund të bëjmë as një vërejtje”.
Fadil Vokrri i kishte ardhur keq që kishte humbur një rast sepse fitorja do të ishte edhe më e thellë, duke thënë për sportin e “Rilindjes” (deklaratë e publikuar më 17 tetor, 1983): “Jam tejet i lumtur për fitoren kundër Cërvena Zvezdës.
Edhe unë kisha rast të volitshëm për të shënuar dhe besova se do t'ia dal.
Fatkeqësisht nuk e vërejta Batroviqin në anën e djathtë.
Vazhdova aksionin por pa efekt. Impuls i madh për ne ishte publiku besnik, cili edhe një herë u vërifikua si lojtari ynë i 12-të”.
Pas javës së 11-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë, Rijeka printe me 15 pikë, e ndjekur nga Hajduku me 14, Partizani 14, Prishtina 14, Velezhi 13, Zhelezniçari 13, Osijeku 12, Sarajeva 11, Buduçnosti 11, Cërvena Zvezda 10, Vojvodina 10, Dinamo (V) 10, Slloboda 10, Radniçki 9, Çeliku 9, Dinamo (ZG) 8, Vardari 8 dhe Olimpia 7 pikë.
Cërvena Zvezda - Prishtina 1:3 (1:0)
Stadiumi "Marakana" në Beograd.
Shikues: 15.000.
Gjyqtar kryesor Stjepan Glavina (Klisi); anësorët Mehmet Selimhoxhiqi i Sarajevës dhe Momçillo Llazarevski i Kumanovës.
Shënues: Milko Gjurovski (30' – nga penalltia) - Agim Cana (57'), Zoran Batroviqi (68' e 72').
Kartona të verdhë: Cana, Mehinoviqi dhe Shuica.
Cërvena Zvezda: Ivkoviq 5, Komadina 5 (Gjuroviqi), Jovini 6, Bankoviqi 6, Elzneri 6, Boshko Gjurovski 5, Shestiqi 5, Millojeviqi 6, Niloliqi 6, Janjinini 5 dhe Mërkella 7.
Prishtina: Sllobodan Shuica 9, Skënder Shengyli 8, Shefqet Sinani 8, Ramadan Cimili 8, Petre Gruevski 7, Favzi Rama 8, Rifat Mehinoviqi 8, Fadil Muriqi 8, Fadil Vokrri 8 (Edmond Rugova), Agim Cana 8 dhe Zoran Batroviqi 9.