Jo vetëm Tomori për Juventusin

Futboll

Jo vetëm Tomori për Juventusin

Më: 23 janar 2025 Në ora: 16:40
Xhuntoli

Fikajo Tomori tashmë është kthyer në objektivin numër 1 të Juventusit në merkaton e janarit sa i përket mbrojtjes. Anglezi që luan për Milanin shihet si lojtari ideal sa i përket raportit cilësi-çmim si dhe mund t’i përshtatet mjaft mirë skemave të Tiago Motës.

Megjithatë, Xhuntoli nuk mund t’i lejë çdo gjë në dorë rastësisë. Afrimi i Tomorit nuk është shumë i lehtë, madje kohët e fundit pista që të çon tek ai po fillon të vështirësohet dhe për këtë arsye, listës së gjatë i janë shtuar dhe dy emra të tjerë që shihen si alternativat e Tomorit.

Fillimisht bëhet fjalë për Loid Keli, i cili luan për Njukasëllin. Këta të fundit janë të gatshëm ta lënë të lirë dhe nga kjo situatë mund të përfitojë Juventusi.

Edhe pse nuk shihet në lartësinë e mbrojtësve të tjerë që Juvja ka kërkuar në merkato, Keli mund t’i përshtatet mjaft mirë lojës së Tiago Motës, sipas këshilltarëve pranë ambientit bardhezi. Njukasëlli do ta linte të lirë mbrojtësin për rreth 30 milionë euro.

Kujtojmë që Xhuntoli vazhdon ende të jetë në garë për Hançkon. Megjithatë, Xhuntoli ka dhe një tjetër alternativë që vjen nga Anglia. Veç Kelit, “Zonja” ka nisur kontaktet edhe me Çelsin për të parë mundësinë e afrimit të Renato Veiga.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe eksperti i merkatos Fabricio Romano i cili me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, ka treguar se Juventusi është në garë bashkë me Borusian e Dortmundit. Nuk përjashtohet mundësia që Kristiano Xhuntoli t’i afrojë të dy mbrojtësit në merkato, duke parë se Juventusi ka nevojë për dy mbrojtës qendre pas dëmtimit të Gleison Bremerit e Huan Kabalit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat