Mes kompeticioneve vendase dhe atyre europiane, Barcelona kryeson statistikat e golave në Europë gjatë sezonit 2024-2025.
Me 26 gola të shënuar në 7 ndeshje të luajtura të Ligës së Kampionëve (3.7 për ndeshje), askush nuk mund të lërë në hije skuadrën blaugrana.Mjafton të shikoni se skuadra e dytë me më shumë gola në Champions, Borusia e Dortmundit numëron 19 gola, ose 7 më pak se skuadra e drejtuar nga Hansi Flik.
Potenciali sulmues i skuadrës pasqyrohet edhe në La Liga ku ka shënuar 52 gola në 20 ndeshje, çka do të thotë se kjo super Barça, që i nënshtron rivalët e saj, numëron 78 gola mes Champions League dhe kampionatit spanjoll. Pa harruar këtu dhe një mori me gola në Kupën e Mbretit dh në Superkupën e Spanjës që nuk janë llogaritur në këtë ekuacion.
Askush në Evropë nuk i mund këto rekorde të Barcelonës. Bajerni i Mynihut është skuadra që i afrohet më shumë statistikave katalanase me 73 gola në 25 ndeshje, mes Bundesligës dhe Champions, dy ndeshje më pak se Barça. Skuadra e Vinsent Kompani ka shënuar 56 gola në Bundesligë, por vetëm 17 gola në Champions League (9 më pak se skuadra e Flik). Nëse ka një klub që po tregon qëndrueshmëri në kompeticionin më të mirë evropian, ai është Liverpuli i Arne Slot. Vetëm anglezët kanë pasur numrin e plotë të fitoreve në Champions League (7/7) por kanë shënuar 15 gola, 11 më pak se Barcelona.
Në Premier, “The reds” kryesojnë renditjen, ndërsa kanë shënuar 50 gola në 21 ndeshje, duke arritur në 65 rrjeta mes Champions League dhe Ligës angleze, duke qenë skuadra e tretë e klasifikuar në këtë renditje të veçantë sa i përket golave të shënuar. Ato ndiqen nga afër nga Atalanta, rivali i ardhshëm europian i Barçës dhe Reali i Madridit.
Të dyja skuadrat kanë shënuar 64 gola mes kampionatit (Serie A dhe La Liga) dhe Champions League, por skuadra e Gasperinit e ka bërë këtë në 28 ndeshje krahasuar me 27 që ka luajtur skuadra e Ançelotit.