Nuk duhet të presë deri në fund të sezonit për të mësuar të ardhmen e tij.
Mario Mitaj pritet të bëhet një lojtar me te drejta të plota i Al Ittihad në Arabinë Saudite.
Mbrojtësit të kombëtares kuqezi i kanë mjaftuar vetëm pak muaj për të bindur “sheikët” që të blejnë përfundimisht kartonin e tij nga Lokomotiva e Moskës.
Mitaj u transferua në merkaton e verës në Ligën Profesioniste Saudite në formë huazimi për 3 milion euro, ndërsa klubet ranë dakord edhe për 5 milion euro të tjera për shitjen përfundimtare.
Pikërisht këtë shifër, AL Itihad do ta paguajë që në janar, për të finalizuar blerjen e futbollistit kuqezi.
Ky vendim është marrë duke parë paraqitjet e Mitajt në fushën e lojës.
Ai u kthye menjëherë në një titullar të padiskutueshëm bashkë me yjet e futbollit si Benzema, Kante apo Fabinjo.
Deri tani në sezonin e parë, 21-vjeçari ka shënuar 1 gol, ndërsa ka dhënë edhe 4 asist, duke ndihmuar Al Ittihad në garën për titullin kampion.
Po ashtu, Mitaj është një nga lojtarët më të vlerësuar në këtë sezon, me një notë mesatare 7.3 për ndeshje.