Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, është i lumtur se ka një grup mëse të kompletuar për të përballuar pjesën e dytë të sezonit e për të tentuar mbrojtjen e titullit kampion në Superiore. Tekniku i rrogozhinasve, në konferencën për mediat ka theksuar se ekipi ka bërë një merkato të studiuar, ndërsa ka komentuar ndeshjet e kësaj fundjave në Superiore ku përballen katër skuadrat e para, si një mini-”Final Four”.
“Derbi dhe Vllaznia-Egnatia? Mendoj që është një mini-“Final Four” se ndeshen katër të parat. Po mbetet për t’u parë pastaj se çfarë do të ndodhë.
Merkato? Mendoj që kemi një grup të mirë, kemi bërë një merkato të mirë, kemi marrë lojtarët që kemi dashur si Dajsinani, Sota dhe Guindo. Është pak shpejt për të folur për prurjet e fundit, se sigurisht do t’i shohim në fushën e lojës. Por mendoj se janë njohës të mirë të kampionatit shqiptar.
Grupi është po themi i plotë, është i ndërtuar që të luftojë për të dy trofetë. Pastaj të shikojmë në fund se si do të shkojë.
Forma e Vllaznisë? Çdo skuadër gjatë maratonës shfaq disa fytyra.
Nisja është gjithmonë jo e mirë për të gjithë derisa lojtarët të gjejnë formën, sidomos ekipet që kanë luajtur në kompeticionet europiane. Janë në një formë të mirë dhe për këtë janë treguese ndeshjet e fundit.
Me gjithë respektin që kam për Malën dhe Balajn që po bëjnë mirë në këtë kampionat, luajmë ndaj Vllaznisë, një emër i madh i futbollit shqiptar. Ndaj ndeshja është me Vllazninë dhe mendojmë të bëjmë më të mirën ndaj tyre.
Rivalët? Jam më shumë i fokusuar te skuadra ime. Por kjo katërshe që është momentalisht, lufta është momentalisht me ta. Pastaj deri në fund ka pikë boll, ndaj mbetet për t’u parë në vazhdim se si do të shkojë.
Grupi është i plotë, përveç Malotës që ka ende dhimbje, nuk duhet të rrezikojmë, do të shohim avash avash në ditët në vijim që të bëjë rikuperimin e plotë. Sa i përket Sotës dhe Guindos, është akoma shpejt për të dy, mendoj se duhet t’i harmonizojmë sa më shumë me grupin dhe më pas të shohim.
Kemi lojtarët që kemi dashur në skuadër, kemi një grup prej 25 lojtarësh ku të gjithë janë të gatshëm për lojë. Mendoj që jemi mirë, të shohim e të vazhdojmë punën dhe të shohim vazhdimësinë. Sa i përket menaxhimit, ndeshje pas ndeshje kam përdorur rotacionin dhe ka minutazh për të gjithë.
Derbi? Nuk është se kam opinion për derbin e kryeqytetit, mendoj vetëm për skuadrën time, ndeshjen time me Vllazninë.
Afrimi i Dajsinanit? Jo se Egnatia nuk ka qenë e sigurt, se e kam deklaruar që jemi një grup. Sigurisht elementët cilësor përmirësojnë forcën e grupit dhe Dajsinani është një nga këta. Shpresoj të shkrihet sa më shpejt me grupin e të kemi vazhdimësi të gjithë bashkë”, tha ndër të tjera Tetova.