Inter ka zgjedhur të mos jetë aktiv këtë merkato dimri, por klubi zikaltër ka filluar që tani nga puna për të bërë transferimet e nevojshme në merkaton e verës.
Inter ka piketuar dy lojtarët që do të ishin zëvendësuesit ideal të dyshes qendërmbrojtëse Francesco Acerbi dhe Stephan De Vrij. Gianluca Di Marzio raporton se Inter ka piketuar dy qendërmbrojtësit e Bologna-s, Jhon Lucumi dhe Sam Beukema, të dy nga 26 vjeç.
Sigurisht që negociatat me Bologna-n nuk do jenë aspak të lehta, por një ofertë e mirë ekonomike për të dy qendërmbrojtësit mund të ndryshojë gjithçka. Përvec përforcimeve në mbrojtje, klubi zikaltër po mendon dhe për repartin e mesfushës.
Inter ka piketuar mesfushorin e Comos, Nico Paz, i cili ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë në Serie A, ku ka shënuar dhe 4 gola deri tani. 20-vjeçari u transferua në verë nga Real-i për 6 milionë euro, por klubi madrilen do të përfitojë 50 për qind të shumës në shitjen e radhës. Gjithashtu Reali ka të drejtën e riblerjes para ndonjë klubi tjetër të interesuar.