Barcelona kryeson statistikat e golave në Europë gjatë sezonit 2024-2025. Me 26 gola të shënuar në 7 ndeshje të luajtura të Ligës së Kampionëve, 3.7 për ndeshje, askush nuk mund të lërë në hije skuadrën blaugrana.
Borussia Dortmund numëron 19 gola, ose 7 më pak se skuadra e drejtuar nga Hansi Flick.
Potenciali sulmues i skuadrës pasqyrohet edhe në La Liga ku ka shënuar 52 gola në 20 ndeshje, çka do të thotë se kjo super Barça, që i nënshtron rivalët e saj, numëron 78 gola mes Champions League dhe kampionatit spanjoll.
Pa harruar këtu dhe një mori me gola në Kupën e Mbretit dh në Superkupën e Spanjës që nuk janë llogaritur në këtë ekuacion. Askush në Evropë nuk i mund këto rekorde të Barcelonës. Bayerni është skuadra që i afrohet më shumë statistikave katalanase me 73 gola në 25 ndeshje, mes Bundesligës dhe Champions, dy ndeshje më pak se Barça.
Nëse ka një klub që po tregon qëndrueshmëri në kompeticionin më të mirë evropian, ai është Liverpuli i Arne Slot. Skuadra angleze ka arritur në 65 rrjeta mes Champions League dhe Ligës angleze, duke qenë skuadra e tretë e klasifikuar në këtë renditje të veçantë sa i përket golave të shënuar.