Mareska: Nuk jemi për titull, kriza e Sitit është normale

Futboll

Mareska: Nuk jemi për titull, kriza e Sitit është normale

Më: 25 janar 2025 Në ora: 12:14
Mareska

Trajneri i Çelsit, Enco Mareska, nuk donte të përfshihej në diskutimin e interesit për sulmuesin e Mançester Junajtidit, Alehandro Garnaço, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Sitin.

Blutë e Londrës flitet se janë të interesuar për të transferuar argjentinasin këtë muaj, por tekniku italian e mohoi diçka të tillë përpara gazetarëve: “Jo, jo. Jam i lumtur me ata që kemi në këtë moment.

Ne kemi thënë shumë herë se në krahun e djathtë, janë Pedro (Neto) dhe Noni (Madueke) dhe në krahun e majtë është Xhejdën (Sanço). Misha (Mudrik) ishte me ne dhe tani nuk është me ne. Unë mendoj se Tajrik (Xhorxh) është një profil i ri që mund të na ndihmojë, kështu që në këtë moment, ne jemi në rregull. Ne jemi gjithnjë në kërkim të mundësive me drejtorin sportiv. Të shohim nëse mund të ndodhë diçka këtë merkato”.

Italiani do të rikthehet në “Etihad”, për t’u përballur me ish-shefin e tij, Pep Guardiola, me të cilin punoi si asistent në sezonin 2022-23. Kampionët e Anglisë nuk po kalojnë një moment të mirë, por Mareska tha: “Është normale, mund të ndodhë. Ajo që nuk ndodh rëndom është numri i viteve që ata kanë fituar trofe.

Ajo që është normale është ajo që po ndodh tani. Me siguri, ata do të kthehen për të fituar shumë trofe së shpejti. Marrëdhëniet e mia me Pepin dhe klubin janë shumë të mira. Unë e kam thënë shumë herë se kontakti im me ta është shumë i mirë, do të jem gjithmonë mirënjohës për besimin që treguan tek unë”.

Ai mendon se Guardiola do ta kapërcejë këtë moment: “Çdo klub, në çdo kohë dhe çdo lojtar e kanë këtë moment, por ai do të jetë në rregull. Pep është mjaftueshëm i fortë. Por siç do qenie njerëzore, ai ka nevojë për mbështetje. Në 8- 9 vitet e fundit ai ka qenë gjithnjë në majë, gjithnjë duke fituar”.

I pyetur nëse Çelsi i tij është një skuadër e denjë për të luftuar për titullin, ai e përjashtoi diçka të tillë: “Jo, nuk jemi për titull. Nëse shikon muajt dhjetor dhe janar ne po kalojmë një moment të vështirë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat