Nëse ëndrra për të fituar titullin në Premier League duket gjithnjë e më shumë një iluzion, me Liverpool-in që ka krijuar avantazh të madh (sot është +6 pikë nag vendi i dytë, me një ndeshje më pak), Arsenali e di se nuk mund të heqë dorë asnjë centimetër, pasi duhet të kujdeset edhe për “pasqyrën”, duke parë se vendi i katërt i mbajtur nga Chelsea është vetëm 4 pikë larg.
Trajneri Mikel Arteta e di këtë, sikurse nënvizon se për ta vazhduar garën e titullit ka nevojë për një tjetër sulmues. “Arsenali është aktivisht në kërkim të një sulmuesi në janar, që të ketë ndikim direkt në skuadër”, – tha ai në konferencën për shtyp para ndeshjes së planifikuar për sot ndaj Wolverhampton.
Po ndikojnë shumë mungesat e Bukayo Saka për një problem në tendinën e gjurit dhe sulmuesit Gabriel Jesus për dëmtim të ligamentit të përparmë të gjurit. “Opinioni im është i qartë, sepse humbëm dy lojtarë shumë shumë të rëndësishëm, Bukayo Saka dhe Gabriel Jesus. Pra, na mungojnë golat, na mungojnë golashënuesit, na mungojnë opsionet në sulm, është e qartë”, – tha Arteta në lidhje me këtë.
Pastaj shtoi: “Është e qartë që në periudhën kur i humbëm, idealisht do të kishim nevojë për pak ndihmë. Asokohe ishim të zbuluar në sulm, tani jemi edhe më keq. Ekipi ende nuk po arrin t’i përballojë këto dy mungesa.
Sidoqoftë, do të bëjmë vetëm atë që është e drejtë për klubin. Po kërkoj aktivisht sulmuesin e duhur, jo thjesht çdo lojtar. Duhet të jetë dikush që na bën më të mirë dhe ka ndikim direkt në skuadër”.