Për ta parë atë në fushë me fanellën e Milanit do të duhet ende pak durim, megjithatë klubi kuqezi tashmë ka realizuar goditjen e parë të sesionit të merkatos dimërore.
Kyle Walker është zyrtarisht, që nga e premtja, lojtar i ri i grupit të drejtuar nga Sergio Conceiçao, një përforcim i rëndësishëm për teknikun portugez, i cili tani mund të llogarisë një element që do t’i sjellë shumë forcë dhe fleksibilitet në mbrojtje.
Cilësi që kombinohen me një bagazh të madh përvoje dhe atë zakon për të fituar, të konfirmuar gjithashtu nga një detaj i zbuluar nga “Gazzetta dello Sport”.
BONUSI I CHAMPIONS-it
Siç shpjegohet nga “Gazzetta dello Sport”, Walker, që vjen nga Manchester City i huazuar, por me të drejtë blerjeje, në momentin e negociimit të kushteve të kontratës së tij me klubin kuqezi kërkoi përfshirjen e një “bonusi Champions-i”.
Një bonus i lidhur jo me kualifikimin në kompeticionin më të lartë europian për klubet, por të triumfit të mundshëm. Walker synon, pra, të fitojë atë që për Milanin do të ishte Champions-i i tetë në historinë e tij.