Federata Gjermane e Futbollit (DFB) festoi mbrëmjen e së premtes 125-vjetorin e themelimit. Ceremonia u mbajt në Leipzig në një Mbrëmje Gala madhështore, ku morën pjesë personalitete të shumta nga futbolli europian dhe botëror.
Mes të ftuarve ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i shprehu urimet më të përzemërta homologut të tij, Presidentit të DFB-së, Bernd Neuendorf, për këtë jubile të rëndësishëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Duka e uroi edhe një herë DFB-në për këtë përvjetor, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në zhvillimin e futbollit ndërkombëtar.
“Urime të përzemërta Federatës Gjermane të Futbollit për 125-vjetorin e themelimit! Pata kënaqësinë të marr pjesë në festimet e këtij përvjetori historik, ku u nderua tradita dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Federatës Gjermane për zhvillimin e futbollit.
Një urim i veçantë për Presidentin Bernd Neuendorf dhe të gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe vizionin për të ardhmen. Jam i bindur se Federata Gjermane do të vazhdojë të jetë një shembull frymëzues për komunitetin ndërkombëtar të futbollit. Suksese të mëtejshme në vitet që vijnë!” – shkruan Presidenti Duka.