Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka komentuar debutimin e mbrojtësit Abdukodir Khusanov në fitoren e skuadrës ndaj Chelseat.
Lojtari nga Uzbekistani bëri paraqitjen e tij të parë për Citizens dhe u duk se kishte vështirësi për t’u përshtatur me ritmin e futbollit anglez.
Guardiola zgjodhi t’i jepte një debutim të plotë Khusanov, një nënshkrim prej 40 milionë euro nga Lens, në ndeshjen kundër Chelsea-t në Etihad Stadium.
20-vjeçari pati një debutim për t’u harruar dhe u zëvendësua në minutën e 54-t. Trajneri spanjoll foli pas ndeshjes për arsyen e vendimit të tij për ta aktivizuar atë nga minuta e parë.
“Ai nuk flet anglisht, kështu që unë nuk fola me të. Do të jetë mirë. Ai bëri vetëm një, dy stërvitje. Nuk doja ta shtyja John Stones që të kthehej nga dëmtimi me ndeshjen e së mërkurës kundër Club Brugge.
“Lojtarët ishin të bashkuar. Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Çdo lojtar mund të bëjë një gabim. Tifozët e Manchester City gjithmonë mbështesin lojtarët e rinj. Ai është shumë i ri dhe do të mësojë”.
“Nuk është e lehtë për të. Ai u stërvit një herë dhe pastaj luajti kundër Nicolas Jackson, Cole Palmer, Noni Madueke, Jadon Sancho. Është një proces kur blen një lojtar kaq të ri. Ai do të mësojë. Këto lloj veprimesh janë leksionet më të mira që mund të marrësh…”..