Besa barazoi në transfertë përballë Vorës në sfidën e vlefshme për javën e 20 të Kategorisë së Parë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Vorës, përfundoi në barazim 1-1. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i kavajasve, Emiliano Çela.
“E kishim përgatitur ndeshjen si një finale, stresi ishte në krahun tonë.
Përpos rezultateve të fundit, Vora kishte krijuar një distancë sigurie me ne dhe kishte komoditetin të ishte më e qartë. U munduam që me shpejtësinë dhe individualitetin që kishim, t’i kapnim. Në pjesën e dytë jam i kënaqur, ekipi kishte më shumë rrjedhshmëri. Lojtarët e mi sot dhanë maksimumin.
Duhet të jemi të fortë dhe gati, të mos dorëzohemi kurrë. Goli i barazimit sjell “shok” tek çdo ekip. Jam i lumtur me të gjithë lojtarët pasi shkuan në limite dhe dhanë maksimumin.
Përsa i përket ndeshjes së sotme, jam i kënaqur nga të gjithë. Atë që kishim përgatitur gjatë javës, sot e bëmë mjaft mirë. Unë besoj shumë te ky ekip, të gjithë e shohin në fushë. Kemi lojtarë me cilësi shumë të larta, por duhet të rrimë bashkë dhe të kemi besimin e njëri-tjetrit. Pa u bërë të gjithë bashkë, një trup, është e vështirë të marrësh rezultat.
Ajo që i kërkova sot lojtarëve ishte që të mos tregoheshim emocional. Sot kërkova që të ishim në ekuilibër. Patjetër që shpresonim që të kapnim diçka në pjesën ofensive. Sot doja të isha ndryshe nga ndeshjet e tjera, s’doja të isha i vrullshëm. Pasi duke qenë i tillë, e pësuam përballë Burrelit dhe Erzenit.
Objektivi Superiore? Besojmë sepse kemi ndeshje direkte me Flamurtarin dhe Vorën.
Ka akoma pikë në lojë, ne duhet t’i marrim të gjitha. Duhet të jemi koherent të vazhdojmë të punojmë dhe të mos bëjmë gabimet që kemi bërë.
Do shkojmë aty ku na takon. Jo të gjitha ndeshjet janë efektive, pasi disa ekipe i kanë arritur objektivat, mendoj se disa prej tyre nuk do ta respektojnë garën”, është shprehur Çela.