Juxhin Xhaja fitoi dje çmimin “Arbitri i Vitit 2024” në Shqipëri. Për të nuk do të ketë pushim, paso fill pas derbit Partizani-Dinamo do të arbitrojë në Ligën e Europës.
Arbitrit shqiptar i është besuar ndeshja e raundit të tetë mes Nisë dhe Bodo/Glimt. Asistentët e tij do të jenë Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo. Në anën tjetër si arbitër i katër qëndron Albert Doda.
Në VAR do të ndodhet një trupë italiane, teksa delegatët e UEFA-s janë nga Polonia dhe Finlanda.
Kjo ndeshje e Europës është vendimtare për norvegjezët e Bodo/Glimt.
Ata renditen në vendin e dhjetë dhe qëndrojnë 1 pikë larg zonës së tetëshes, që siguron direkt kualifikimin. Nisë është jashtë çdo objektivi pasi mban vendin e parafundit dhe nuk ka fituar asnjë përballje.