Në mbrëmjen e sotme do të luhen ndeshjet e fundit të fazës “së grupeve” në Champions League.
Këtë herë do të kemi zyrtarisht të qartë pamjen e tabelës sa i përket ekipeve që kalojnë më tej dhe ato që do të eliminohen. Ndërkohë mediat italiane kanë bërë të ditura sesa do të fitojnë ekipet e Serisë A pas këtij turi të parë, duke përjashtuar këtu vetëm Bolonjën.
Interi
Deri tani ekipi i Inzaghit ka mbledhur 68 milionë euro nga UEFA. Me një fitore sot kundër Monaco-s, do të vinin edhe 2.1 milionë të tjera, plus 11 milionë euro bonuse kualifikimi dhe 2 si bonuse pasi do të jenë pjesë e 8 më të mirave. Në total, pas fazës së parë në Champions League, Interi mund të arrijë në 85 milionë euro fitim.
Milani
Nëse sot Milani fiton kundër Dinamo Zagreb, kuqezinjtë mund të arrijnë në 75 milionë euro fitim. Por baza sot e fituar është rreth 60 milionë euro, më pak se Interi.
Atalanta
Përralla e bukur e Serisë A, vjet fitoi Europa League. Me fitoren ndaj Barcelonës sot, ekipi i Gasperinit mund të arrijë në 80 milionë euro.
Juventus
Deri tani Juventusi ka fituar 65 milionë euro dhe me fitoren kundër Benfikës, 11 milionë të tjera do të vinin për bardhezinjtë që do të shkonin në totalin e 76 milionë eurove.