Pas fitores ndaj Monacos dhe kualifikimit të drejtpërdrejtë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, Henrikh Mkhitaryan, është shprehur i lumtur që Interi ka arritur këtë objektiv.
“Ne besuam që në ndeshjen e parë. E dinim që nuk do të ishte e lehtë, sepse duhej të luanim kundër skuadrave shumë të forta”, ka thënë Mkhitaryan për “Inter TV”.
“Luftuam në çdo ndeshje. Edhe sonte nuk ishte e lehtë, por e merituam dhe, me meritë, jemi mes tetë skuadrave më të mira”.
“Që në minutën e parë dolëm në fushë për të fituar. Edhe pse e dinim që një barazim do të na mjaftonte, luajtëm për fitoren dhe në fund triumfuam duke dominuar”.
“Për raundin e 1/8-ve do të mendojmë kur të vijë koha. Tani nuk e dimë ende me kë do të luajmë, ndaj fokusi ynë është vetëm te derbi i së dielës”, ka pohuar Mkhitaryan.