Franco Baresi, zv.president nderi dhe ambasador i Milanit, ka folur në mikrofonët e “Sky Sport” pas shortit të “play off”-eve të Champions League, që ka rezervuar për kuqezinjtë Feyenoordin:
“Më mirë të evitosh një përballje italiane (me Juventusin), por kthehemi në Champions me shumë respekt për holandezët, sepse e dimë se në këto kompeticione nuk duhet të nënvlerësojmë askënd”.
Me çfarë shpirti duhet luajtur ky “play off”?
Sigurisht që do të kishim dashur ta evitonim këtë tur shtesë, ishim në kushte për ta bërë këtë pa problem, por e komplikuan jetën tonë. Ka shumë zhgënjim dhe hidhërim, para së gjithash nga ana e ekipit dhe lojtarëve.
E dimë që kur kundërshtarët luajnë kundër Milanit, japin gjithmonë maksimumin në fushë.
Duhet ta rimarrim veten, të bëjmë një vetë-analizë dhe t’ia rifillojmë nga situatat e vështira. Kemi cilësi dhe mundësi për t’u rikthyer të fortë.
Çfarë mesazhi mund t’i dërgoni ekipit?
Mesazhi është i qartë: të jemi gjithmonë pozitivë dhe të aftë ta fshijmë atë që ka ndodhur, duke shikuar përpara me besim. Kemi bërë ndeshje shumë të mëdha në Champions League, nuk duhet të harrojmë që kemi cilësi.
Nuk duhet ta humbasim besimin në cilësitë tona. Kemi hasur shumë skuadra dhe të bashkuar kemi luajtur sit ë barabartë.
Duhet të argëtohemi dhe t’i bëjmë gjërat së bashku, për t’i vënë në vështirësi kundërshtarët. Pastaj mendoj se do të jetë e vështirë për të tjerët të na përballojnë.
A ju pëlqen ideja që mund të ketë një tjetër derbi në Champions?
T’i marrim gjërat hap pas hapi. Të dielën do të kemi derbin e kampionatit, vijmë nga eksperienca në Superkupë. Zikaltrit do të jenë të zemëruar, derbin duhet ta luajmë gjithmonë deri në fund.
Do të ketë një atmosferë të madhe, duhet të përgatitemi dhe të shikojmë përpara, përtej zhgënjimit, të tregojmë karakter dhe personalitet. Duhet t’i kemi këto cilësi në disa kontekste.
A vjen ky derbi në momentin e duhur?
Urimi im është ky, edhe pse është e qartë që morali nuk është shumë i lartë. Duhet të jemi gati, kjo ndeshje mund të na shpierë një hap përpara dhe të rifillojmë rrugëtimin.