Terri Rozier i Majemi Heat është në telashe pasi kundër tij rëndon akuza e trukimit të ndeshjeve.
Sipas akuzës lojtari i skuadrës nga Florida është pjesë e një hetimi federal pasi ka ndryshuar performancën gjatë një takimi të marsit të 2023-it.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Lindor të Nju Jorkut ka qenë në kontakt me NBA-në në lidhje me këtë çështje, e cila është pjesë e një skeme më të madhe të basteve, e cila tashmë ka implikuar ish-lojtarin e Raptors, Xhontej Porter.
“Në mars 2023, NBA u lajmërua për aktivitete të pazakonta bastesh në lidhje me performancën e Terri Rozier në një ndeshje mes Sharlot dhe Nju Orlins,” konfirmoi zëdhënësi i NBA, Majk Bas.
“Liga kreu një hetim dhe nuk gjeti shkelje të rregullave të NBA. Tani jemi në dijeni të një hetimi nga Zyra e Prokurorit të SHBA për Distriktin Lindor të Nju Jorkut në lidhje me këtë çështje dhe kemi bashkëpunuar”, pohoi Bas.
Për sezonin që po flasim Rozier qëndronte mesatarisht në parket për 35.3 minuta dhe shënonte 21.1 pikë për ndeshje. Në takimin e përfolur lojtari nisi si titullar dhe luajti vetëm 9:34 minuta dhe braktisi ndeshjen pasi thsa kishte dhimbje në këmbë. Atë sezon ai nuk luajti më asnjë prej tetë takimeve që kishin mbetur nga fundi i sezonit.
Atë natë Rozier bëri vetëm katër goditje duke shënuar pesë pikë ndërsa gjithashtu dha dy asist si dhe ishte autor i katër ribaundve.