Tirana siguron biletën për në gjysmëfinale

Futboll

Tirana siguron biletën për në gjysmëfinale

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 20:55
Rezultatet

U luajtën këtë fundjavë ndeshjet e dyta të Kupës së Shqipërisë për femra. Apolonia mposhti Gramshin në sfidën e grupit A me rezultatin 3-0.

Fieraket dominuan takimin, duke shënuar tre gola që në pjesën e parë. Gjithçka është ende e hapur në grupin A, teksa Apolonia dhe Gramshi renditen me nga tre pikë ndërsa Partizani në vendin e tretë me 0 pikë. Sfida e fundit e grupit do të luhet mes Apolonisë dhe Partizanit.

Në grupin B, Egnatia mori gjithashtu fitoren e parë në grup duke mundur Kinostudion me shifrat 4-2. Një fitore që i ngjit rrogozhinaset në vendin e parë me 3 pikë, po aq sa Kinostudio. Edhe në këtë grup gjithçka mbetet ende e hapur, teksa ndeshja e fundit do të luhet mes Egnatias dhe Laçit.

Sakaq, në grupin C, Tirana siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi fitoi ndaj Teutës me shifrat 4-3. Ndeshja e fundit e grupit do të luhet mes Teutës dhe Lushnjes.

Në gjysmëfinale do të kalojnë tre ekipet e renditura në vendet e para të çdo grupi dhe vendi i dytë më i mirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat