Klubi italian, AC Milan ka zyrtarizuar nënshkrimin e futbollistit meksikan Santiago Gimenez.
Gimenez i bashkohet gjigantit italian nga Feyenoordi. Klubi nga ‘San Siro’ të hënën përmes një njoftimi, ka bërë më dije se Gimenez me Milanin ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2029.
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se ka siguruar përfundimisht shërbimet e futbollistit Santiago Tomas Gimenez nga Feyenoord Rotterdam. Sulmuesi meksikan ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2029”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit kuqezi.
I lindur në Buenos Aires (Argjentinë) më 18 prill 2001, Gimenez u rrit në akademinë e të rinjve të Cruz Azul, ku debutoi me ekipin e parë në gusht 2017. Gjatë periudhës së tij atje, ai regjistroi 105 paraqitje dhe shënoi 21 gola, duke fituar një Kupë dhe një Superkupë të Meksikës.
Në verën e vitit 2022, ai u transferua te Feyenoord, ku zhvilloi 105 ndeshje dhe realizoi 65 gola, duke fituar një kampionat holandez, një Kupë dhe një Superkupë të Holandës.
Gimenez debutoi me kombëtaren e Meksikës në tetor 2021 dhe deri më tani ka regjistruar 32 paraqitje dhe ka shënuar 4 gola.
Sulmuesi meksikan do të mbajë fanellën me numrin 7 te kuqezinjtë.