Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka folur për mediat në prag të ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Leganes në çerekfinale.Kjo është një situatë delikate për “Los Blancos” të prekur nga mungesa e dëmtime të shumta dhe të rëndësishme, ku për Kupën janë shtuar dhe Alaba, Mbape e Bellingam.
Ndërkohë që Madridi ndodhet në garë në tri fronte, ku veç Kupës së Mbretit në fundjavë ka derbin me Atletikon dhe më pas përballjen e parë kundër Sitit në Champions në “Etihad”.
LEGANES – “Kemi disa probleme me mungesat. Mund të themi se është një situatë emergjente. E megjithatë ne e duam Kupën. Ky është një kompeticion që na ka dhënë shumë gëzime ndër vite”.
LETRA E KLUBIT – “Diçka e pashpjegueshme ka ndodhur, duke folur për integritetin e futbollistëve dhe ajo që Madridi kërkon është një shpjegim. Dhe kjo më duket e drejtë. Sepse nuk është bërë asgjë për të mbrojtur integritetin e futbollistit.”
VALVERDE QENDËRMBROJTËS – “Jo… Ndoshta mund të luajë si mbrojtës krahu, por jo si qendërmbrojtës. Jakobo, Asensio dhe Tçuameni mund të luajnë në këtë pozicion”.
TÇUAMENI – “Në mbrojtje, ai është shumë i mirë në lojën në ajër, pozicionohet mirë dhe taktikisht është mjaft i përgatitur. Ai nuk është mësuar edhe aq me këtë pozicion, por njohuritë e tij si mesfushor e ndihmojnë. Ndonjëherë ka qenë mirë, herë të tjera ka pasur probleme. Por mbaj mend vetëm një gabim të rëndë ku pësuam gol”.
KRISTIANO MË I MIRI – “Ai ka shënuar një epokë dhe për mua po, ka qenë më i miri. Më ka ndihmuar shumë të qëndroj i qetë në stolin e Madridit”.
MANÇESTER SITI – “Nuk dua të komentoj për këtë gjë tani. Ata janë gjithmonë konkurrues pavarësisht emrave të rinj e të vjetër në përbërje. Ne shohim punën tonë dhe kemi gjëra të tjera për të menduar tani (referenca për Kupën e Mbretit)”.
ARBITRIMI NË LIGA – “Shikoni, kjo puna e arbitrimit është shumë e ndërlikuar. Të gjithë ankohen. Dhe nëse të gjithë ankohen do të thotë se askush nuk është i lumtur. Aty ku kanë më pak presion është në Angli. Kjo është arsyeja pse ata performojnë më mirë”.