Mes sakrificës, suksesit e lavdisë

Futboll

Mes sakrificës, suksesit e lavdisë

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 12:15
Cristiano Ronaldo

Sot është një ditë e veçantë për Cristiano Ronaldon, por edhe për botën e futbollit në përgjithësi.

Legjenda portugeze e feston sot ditëlindjen e 40-të.

“CR7” ia demonstroi botës se me punë, përkushtim e sakrifica mund të arrihet gjithçka në jetë.

Portugezi ndoshta nuk e kishte talentin e Leo Messit, por falë vendosmërisë dhe angazhimit, u bë rivali jetik i argjentinasit.

Tash, një numër magjik për Ronaldon është ai 77.

Në fakt, atij i nevojiten edhe aq gola për ta arritur shifrën e 1000 golave në karrierë, një rrugëtim që kishte nisur më 14 gusht 2002.

Deri tash, futbollisti aktual i Al Nassr i ka shënuar 923 gola, 73 përpara rivalit Messi.

Ronaldo njihet për rekorde të shumta, krahas këtij të golave.

Ai është lojtari me më së shumti paraqitje për Kombëtaren – plot 217, por edhe për më së shumti gola në nivel të Kombëtares – 135 sosh.

Gjithashtu, “CR7” është futbollisti me më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve – 183 ndeshje, si dhe golashënuesi më i mirë në histori të Championsit me 140 gola.

Ndër të tjera, Ronaldo është edhe golashënuesi më i mirë në histori, në kualifikime dhe në Kampionate Evropiane.

Veterani portugez ka marrë pjesë në pesë Kupa të Botës dhe në gjashtë Kampionate Evropiane falë jetëgjatësisë së tij në futboll.

Ai i ka shënuar 460 gola pasi i mbushi 30 vjet dhe 440 të tjerë kur ishte nën 30 vjeç.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë ka lulëzuar gjithmonë nën qendër të vëmendjes më të egër dhe rrallëherë standardet e tij kanë rënë.

Lavdia më e madhe e tij në Real Madrid ishte mes viteve 2009 e 2018, kur u bë golashënuesi më i mirë në histori të “Los Blancos” me 450 gola nga 438 ndeshje.

Ronaldo në Madrid e fitoi katër herë Ligën e Kampionëve, tri herë Botërorin e Klubeve dhe dy herë titullin në La Liga.

Mirëpo, përkundër largimit jo fort të mirë në eksperiencën e tyre, ai nuk e harron asnjëherë Manchester Unitedin.

Ky klub e kishte marrë dhe e kishte afirmuar atë nga Sporting Lisbona kur i kishte mbushur 18 vjet.

Në eksperiencën brilante me klubin anglez, nga viti 2003 deri më 2009, Ronaldo e kishte fituar tri herë titullin në Premierligë dhe një herë Ligën e Kampionëve.

Nën drejtimin e trajnerit Sir Alex Ferguson, ai i kishte shënuar 118 gola nga 292 paraqitje me “Djajtë e Kuq”.

“CR7” e kishte edhe një paraqitje në finale të Championsit në vitin 2009, para se të lëvizte drejt Real Madridit.

Në Portugali, Ronaldo mbetet një hero kombëtar falë rekordit të golave, por edhe pasi e drejtoi këtë Kombëtare drejt suksesit në Euro 2016, ku portugezët u shpallën kampionë evropianë.

Gjithçka kishte nisur në ishullin e Madeiras, ku ishte lindur Ronaldo, për të vazhduar më pas me Sportingun e Lisbonës.

Ai e kishte bërë debutimin në Ligën e Kampionëve kundër Interit në vitin 2002.

E pas eksperiencave në Real e Man Utd, Ronaldo e kishte sprovuar veten edhe në Serie A, duke iu bashkuar Juventusit.

Me gjigantin italian, 40 vjeçari i kishte shënuar 101 gola në 131 ndeshje duke e fituar dy herë titullin në Serie A, mes pesë trofeve që i shijoi në Torino.

Tutje, ai u rikthye në Angli dhe i shënoi 27 gola, por u nda keq me klubin nga “Teatri i Ëndrrave”, shkruan “Gazeta Express”.

Ronaldo në atë kohë vendosi përfundimisht të largohej nga Evropa për t’u zhvendosur në Arabinë Saudite.

Me një rrogë vjetore prej afro 200 milionë eurosh, sulmuesi portugez qe dy vjet është pjesë e Al Nassr.

Edhe në Saudi Pro League, Ronaldo është duke shkëlqyer dhe përmes këtij ekipi synon ta arrijë shifrën jubilare prej 1000 golash në karrierë.

Ndër të tjera, synim tjetër i tij është pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026 me Portugalinë.

E dëshira e tij e fundit është që të luajë përkrah djalit të tij, Cristiano Junior.

Falë një karrierë e jashtëzakonshme, Ronaldo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e futbollit.

Ai konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në histori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat