Van Basten, kyçi i këmbës së djathtë vazhdon ta shqetësojë

Futboll

Van Basten, kyçi i këmbës së djathtë vazhdon ta shqetësojë

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 12:29
Van Basten

Pasi e detyroi të linte futbollin shumë herët, kyçi i djathtë i këmbës vazhdon t’i shkaktojë probleme Marco Van Basten-it. Legjenda holandeze, fitues i tre “Topave të Artë” me fanellën e Milanit dhe një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së Arrigo Sacchi, është detyruar t’i nënshtrohet një tjetër operacioni në “Casa di Cura San Rossore” në Pisa, nën kujdesin e profesor Niek Van Dijk.

Ndërhyrja kishte si qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së kyçit dhe trajtimin e dhimbjes së vazhdueshme, pasojë e një dëmtimi të gjatë traumatik. Van Basten ka vuajtur gjithmonë për shkak të brishtësisë së kyçit të djathtë, siç ka treguar edhe në autobiografinë e tij, dhe tashmë ka vendosur t’i besojë sërish holandezit Van Dijk, ortopedistit të tij besnik dhe një autoritet botëror në artroskopinë e kirurgjinë e kyçit të këmbës.

Van Basten tha pas operacionit: “Sot nuk ndjej shumë dhimbje, doktori më tha që gjithçka shkoi shumë mirë. Nuk ishte një operacion shumë i rëndë. Zgjodha ‘San Rossore’ falë profesor Van Dijk, i cili ma rekomandoi këtë strukturë. Duhej të rioperohesha, sepse kyçi më shkaktonte shumë dhimbje. Ma fiksuan kyçin e këmbës më 1996, pastaj Van Dijk më operoi më 1998 dhe më 2010 më pastroi kyçin, duke më dhënë më shumë mundësi për të lëvizur.

Bëj gjithmonë pak sport, është i mirë për mendjen dhe trupin. Sidoqoftë, duhet të jem i kujdesshëm, të mos e teproj. Nëse kërkon shumë nga trupi yt, duhet të kuptosh kufijtë e tu…, përndryshe përfundon si unë”.

Prof. Van Dijk u shpreh pas operacionit: “Lëvizshmëria e kyçit dhe këmbës së Van Basten ishte gjithnjë e më e kufizuar dhe e dhimbshme. Ndërhyrja ishte e nevojshme për të përmirësuar lëvizjen dhe për të reduktuar dhimbjen. Operacioni shkoi shumë mirë, parashikoj një rikuperim të plotë brenda 6 javësh”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat