Pique: Deklaratat e Real Madridit për arbitrimet janë perde tymi

Futboll

Pique: Deklaratat e Real Madridit për arbitrimet janë perde tymi

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 13:38
Gerard Pique

Iker Casillas dhe Gerard Pique prezantuan fushatën e re reklamuese të “Uber Eats” në selinë e La Liga-s. Gjatë eventit, të dy analizuan situatën aktuale të futbollit spanjoll dhe diskutuan rreth ekipeve të tyre përkatëse. “Jemi spektakolarë”, – thanë me shaka pas shfaqjes së serisë së reklamave, ku janë protagonistë.

Rivaliteti që ekzistonte në fushë mes tyre u reflektua edhe gjatë intervistës. Kur u pyetën për ndeshjen më të mirë në historinë e Real Madridit dhe Barcelonës, Piqué u përgjigj: “Nga ana e lojës, finalja e Champions-it kundër Manchester United. Por, nëse flasim për ndeshjet kundër Real Madridit, atëherë 2-6 në ‘Bernabéu’ ishte e paharrueshme”.

Ndërkohë, Casillas dha një përgjigje më personale: “Për mua, dita që debutova”.

Piqué nuk e la pa e thumbuar: “Ah, domethënë ndeshja më e mirë në historinë e Real Madridit është kur debutove ti?”

Casillas u kundërpërgjigj: “Finalja e së shtatës (Champions League 1998)”.

Në atë moment, Piqué vazhdoi me një tjetër provokim: “Goli i Mijatović ishte në pozicion jashtë loje. Dhe as me deklarata, as me gjë tjetër nuk e ndryshoni dot”.

Duke ndjekur temën e polemikave arbitrale dhe deklaratave të fundit të Real Madridit, Piqué shtoi: “Është një perde tymi. Real Madridi e ka bërë gjithmonë, prej 120 vitesh. Gjyqtarët janë kështu dhe do të mbeten gjithmonë kështu. Do të gabojnë ose jo, me VAR ose pa VAR. Te Real Madridi gjithmonë kanë përdorur presionin mediatik”.

Casillas kundërshtoi: “Mua më duket në rregull ajo deklaratë… Mendoj se në VAR mungon një ish-lojtar, pasi ne e dimë më mirë kur një veprim është i pavullnetshëm”.

Piqué e thumboi përsëri: “Po, sigurisht…, duhet një ish-lojtar i Real Madridit”.

Debati mes tyre vazhdoi edhe rreth një teme më të lehtë. Kur e pyetën se çfarë do të porosiste për një ‘El Clásico’, Casillas u përgjigj pa hezitim: “Një ‘cochinillo’ (derr i pjekur, specialitet tipik në Madrid)”.

Ndërsa Piqué pyeti me ironi: “A mund të porositim edhe deklarata?”

Kur u fol për yjet e rinj të La Liga-s, Piqué bëri një ndarje të qartë mes strategjisë së dy klubeve: “Barcelona i ka nga ‘La Masia’, ndërsa Real Madridi i merr me çekun në dorë”.

Casillas nuk humbi rastin për t’ia kthyer përgjigjen: “Çeku i Barcelonës ishte në krizë, kështu që detyroheshit të promovonit lojtarë nga akademia. Ata duhet të stabilizohen. Real Madridi ka lancuar lojtarë të rinj, që janë përshtatur mirë”.

Casillas dha parashikimin e tij për renditjen përfundimtare të kampionatit spanjoll:
“Barcelona e treta, Atletico Madridi i dyti dhe Real Madridi kampion”.

Ndërsa Piqué nuk i kurseu “thumbat”: “Barcelona e para, Atletico Madridi i dyti dhe Real Madridi i treti… Jo, më falni, Athletic Bilbao i treti”.

Në fund, ish-mbrojtësi i Barcelonës foli për përfshirjen e tij në çështjet e biznesit dhe organizimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, një temë që ka ngritur shumë polemika:

“Nuk kam asgjë për të fshehur.

Kemi bërë një punë spektakolare dhe jam krenar për këtë. Më parë e kishim lënë Superkupën pas dore, deri në atë pikë sa luanim në Tangers kundër Sevillas. Tani formati funksionon dhe njerëzve iu pëlqen. Gjenerohen 40 milionë euro, që shkojnë për futbollin e të rinjve.

Marrim një 10% komision, që është një shifër normale në treg. Nuk e fshehim. Do të vazhdojë të ketë zhurmë, por kjo është situata”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat