Federata e Futbollit e Kosovës zhvilloi sot punimet e Kuvendit të Rregullt të Punës 2025, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Federata Shqiptare e Futbollit; Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur para anëtarëve të Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përcolli urimet dhe përshëndetjet e Presidentit Armand Duka dhe të gjithë administratës së FSHF.
“I dashur President Agim Ademi!
I nderuar përfaqësues i UEFA-s, Denis Bastari, përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri
I nderuar përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës, Musa Selimi
Të nderuar përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, të dashur miq e të ftuar!
Është kënaqësi që të jem sot prezent këtu, së bashku me Zv.Presidentin e FSHF-së, Lutfi Nuri, për të përfaqësuar Federatën Shqiptare të Futbollit. Dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si dhe nga e gjithë administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit”, – tha Shulku, duke vënë në dukje progresin e madh që ka bërë Kosova në zhvillimin e futbollit.
“Është kënaqësi të shohim zhvillimin e futbollit në Kosovë në këto vite dhe progresin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Investimet në infrastrukturë kanë transformuar cilësinë e futbollit, ndërkohë që niveli i kampionateve vendas është rritur ndjeshëm dhe rezultatet kanë qenë mjaft të mira dhe premtuese në të gjitha nivelet. Një dëshmi e qartë e këtij progresi është arritja e madhe e vitit të kaluar, kur Kosova u rendit për herë të parë mes 100 kombëtareve më të mira në klasifikimin e FIFA-s.
Ky sukses nuk është rastësi, por rezultat i punës së palodhur të Presidentit Ademi, Federatës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë”, – nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili shtoi se bashkëpunimi mes dy federatave do të vazhdojë të forcohet, duke pasur si synim të përbashkët zhvillimin e futbollit.
“Shqipëria dhe Kosova kanë ndarë gjithmonë të njëjtin vizion dhe pasion për zhvillimin e futbollit. Investimi në infrastrukturën sportive, edukimi dhe kualifikimi i trajnerëve, zhvillimi i futbollit të vajzave dhe krijimi i kushteve sa më të mira për fëmijët që të luajnë futboll janë disa nga prioritetet e përbashkëta të dy Federatave tona. Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë për të zhvilluar më tej futbollin, që është sporti më i dashur në të gjithë globin”, – tha Shulku.
Në përfundim të fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, i uroi suksese Kombëtares së Kosovës në kualifikueset e Kupës së Botës dhe në play-off-in e Nations League ndaj Islandës, si dhe punime sa më të mbara të Kuvendit.
“Në mbyllje, dua t’i uroj suksese Kombëtares së Kosovës në kualifikueset e Kupës së Botës dhe në play-off-in e Nations League ndaj Islandës. Ju uroj punime të mbara”, – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.