Uli Hoeness paralajmëron “blerjen e shekullit” te Bayern!

Futboll

Uli Hoeness paralajmëron “blerjen e shekullit” te Bayern!

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 17:40
Uli Hoeness

Njeriu më ndikues te Bayern, Uli Hoeness, ka lëshuar një deklaratë të bujshme duke dhënë një sinjal të rëndësishëm për merkaton e klubit bavarez.

“Nëse do më lejonin një ëndërr, krejt pa limite financiare, do të thoja vetëm një emër: Florian Wirtz”, ka deklaruar ish-presidenti i Bayern, i cili vijon të ketë një impakt të fuqishëm në Mynih.

Gazeta TZ ka ngritur dyshimet pas kësaj deklarate: “Mos vallë Hoeness po paralajmëron goditjen e madhe të Bayern në merkato? Mos vallë marrëveshja me Wirtz është mbyllur?”

Këtë askush nuk e di. Deri tani, në media është raportuar se Wirtz nuk lëviz nga Bayer Leverkuseni deri në Kupën e Botës 2026. Pra, ai do të luajë edhe një sezon e gjysmë në “Bay Arena”, në mënyrë që të mos i shtojë presion vetes përpara Botërorit dhe vendimin ta marrë vetëm pas turneut të rëndësishëm me Gjermaninë.

Vlera e tij aktualisht në treg llogaritet nga 100 deri në 120 mln euro, shifër shumë e lartë, madje edhe për një klub si Bayern. Për mesfushorin ofensiv ka interes edhe Real Madrid.

Ndërkohë, Bayern po konsideron një temë tjetër në sulm. Leroy Sane është shprehur i gatshëm të firmosë një kontratë të re në Mynih, në bazë të së cilës paga e tij të varet nga performanca në fushë. Deri tani klubi nuk ka marrë asnjë vendim, përtej dëshirës dhe vullnetit të mirë të gjermanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat