Ismael Benaser nuk e ka fshehur gëzimin e tij për zbritjen në Marseja, pas disa muajve të fundit të vështirë të kaluar me Milanin.
Mesfushori algjerian donte të sqaronte menjëherë pozicionin e tij gjatë konferencës për shtyp të prezantimit, duke shpjeguar se si lamtumira e tij ndaj ekipit italian nuk ishte rezultat i ndonjë imponimi të bordit drejtues.
“Nëse jam këtu, nuk është se Milani nuk më donte më, por mbi të gjitha sepse ky ishte vullneti im. Unë e di filozofinë e De Zerbit, ai dëshiron të ketë zotërimin e topit për të fituar. Filozofi e ndryshme krahasuar me Milanin, ku nuk ishim shumë të fokusuar te mbajtja e topit dhe as te roli i mesfushorëve”.
Fjalë të qarta, të cilat sidoqoftë nuk i fshijnë keqkuptimet e përfolura mes tij dhe Serxho Konseisaos, me të cilin duket se idili nuk u ndez kurrë, madje akoma më keq gjatë pushimit të pjesëve në derbi, ku thuhet se dyshja ka pasur një debat të ashpër.
Një tjetër shkak që e shtyu te Marseja, thuhet se ka qenë dëshira për të qenë në formë për Kupën e Afrikës. “Marseja si qytet ka shumë algjerianë, por ju siguroj se transferimi im nuk ka lidhje as me Kupën e Afrikës e aq më pak me ndonjë problem te Milani”, përfundoi mesfushori.