Trofeu i Botërorit për Klube ka nisur rrugëtimin në të gjitha stadiumet e skuadrave të cilat do të marrin pjesë. Radha këtë herë ishte e Juventusit, një nga dy skuadrat që do të jenë pjesëmarrëse nga Italia bashkë me Interin e Simone Inzagit.
Për këtë kompeticion dha një intervistë mjaft interesante Thiago Motta, që zbuloi pritshmëritë që Juvja ka, por gjithashtu zbuloi edhe një histori interesante nga koha kur ishte pjesë e Barcelonës.
Ai foli për fillimet e Lionel Mesit, se si i mahniti të gjithë dhe më pas u bë ai që është sot.
“Është e mrekullueshme që marr pjesë me një ekip si Juventusi. Ne kemi mundësinë të përballemi me skuadrat më të mira në botë, është gjithashtu një privilegj i madh për ne dhe do të përpiqemi të jemi në maksimumin tonë kur të arrijmë në këtë kompeticion. Ka ende kohë për të shkuar deri aty dhe unë tashmë kam diçka në kokën time duke imagjinuar se çfarë do të thotë të luash një turne si ky.
Është i ri, por është një lajm shumë i bukur. Të bashkosh më të mirat në botë është emocionuese, motivuese dhe të jesh i ri është diçka që mund të të befasojë. Tashmë po përgatitemi mirë, jemi gati të përballemi me gjithçka”, shprehet fillimisht Tiago Mota, që tregon më pas mendimin e tij në raport me eksperiencën që mund të kalonte në SHBA, për të vijuar më pas te një histori interesante për Mesin.
SHBA- “Më ka pëlqyer gjithmonë. Para ose pas sezonit, në SHBA atmosfera ka qenë gjithmonë perfekte për të luajtur. Njerëzit vijnë me entuziazëm dhe dëshirë për të parë skuadrat duke luajtur. Të luash një turne kaq të rëndësishëm me një skuadër si e jona që ka kaq shumë tifozë, sigurisht që do të jetë një avantazh dhe privilegj, shpresojmë të kënaqim njerëzit që do të shkojnë në stadium për të na parë”.
MESI- “Ndeshja e tij e parë më vjen në mendje, kundër Juventusit. Mendoj se ishte trofeu Gamper, ai po e fillonte sezonin me Barcelonën. Mund të shihni se ai kishte cilësi të shkëlqyera, aftësi fantastike dhe gjithashtu një potencial të madh e të jashtëzakonshëm. Ka pasur të tjerë që kanë ardhur në ekipin e parë me talent të madh, por për të luajtur për Barcelonën e dimë që duhet të menaxhosh edhe gjëra të tjera, veçanërisht mendjen, sepse ka shumë presion.
Duke e parë në nxehje, në atë ndeshje, thamë: ‘Shikoni atë, ai është i fortë, por duket pak i frikësuar.’ E kemi marrë të gjithë gabim! Ai ishte aq i qetë dhe paqësor, por perceptimi ynë ishte se ai ishte i frikësuar. Ai u tregoi të gjithëve se mund të bënte të njëjtat gjëra në stërvitje. Ai ishte krejtësisht ndryshe nga të tjerët që kishin dalë nga ekipet e të rinjve.
Ai ishte i fortë, por dinte të përballonte presionin”, tha ndër të tjera trajneri i Juventusit, Tiago Mota, i cili ka qenë pjesë e Barcelonës në fillimet e karrierës së tij, përpara se të vazhdonte më pas aventurat e tjera.