Në një intervistë për “Rivistaundici”, ish-futbollisti japonez i Perugias, Fiorentinës, Parmës dhe Romës në Serie A, Hidetoshi Nakata, ka folur për aventurën e tij në Itali:
"Mbërrita në Itali në moshën 21-vjeçare, nuk kisha luajtur kurrë jashtë vendit, përveçse me fanellën e kombëtares japoneze. Serie A, asokohe ishte kampionati më i mirë në botë dhe tërhiqte lojtarët më të talentuar në nivel ndërkombëtar.
Debutimi kundër Juventusit të Zidane dhe Del Piero (java e parë e sezonit 1998/99) ishte padyshim i paharrueshëm. Më kujtohet stadiumi i mbushur me turistë dhe gazetarë japonezë, nuk e fsheh dot që ndjeva një farë presioni…”
Shumë mendonin se ishe në Itali vetëm për marketing…
Nuk kisha asnjë kontroll mbi mendimin e të tjerëve, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të punoja maksimalisht.
Pastaj, varet nga ti nëse do t’u japësh rëndësi apo jo atyre zërave. Objektivisht, nuk mund t’i kontrolloja opinionet e njerëzve, por mund të përpiqesha t’i bindja duke shfrytëzuar cilësitë e mia. Për mua, rezultati në fushë ishte thelbësor, gjithçka tjetër kishte pak rëndësi. Për të qenë i sinqertë, disa etiketime nuk më kanë rënduar kurrë.
Cili është kujtimi më i bukur nga futbolli?
Edhe sot e kësaj dite kam marrëdhënie të veçanta, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë profesional, falë rrugëtimit tim në këtë sport. Sot jam këtu, duke biseduar me ju, pikërisht për shkak të arritjeve të mia në fushë. Pa futbollin, ndoshta nuk do të kisha arritur të ndërtoja atë që kam sot. Nuk do të kisha të njëjtat mundësi.