Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit (BASHF) zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në këtë Asamble morën pjesë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Bardhyl Jera, Drejtori Administrativ i FSHF, Aldi Topçiu, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola, anëtarët e KE-së të BASHF, Idriz Gashi, Ervis Peza, Dritan Salaj e Sokol Avdo dhe delegatët e mandatuar nga kolegjiumet e arbitrave në të gjithë vendin.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Jera, në përshëndetjen e tij theksoi se viti që lamë pas ishte shumë i suksesshëm, duke marrë parasysh angazhimin e arbitrave shqiptarë në kompeticionet europiane.
“Është një kënaqësi që jam pjesë e Asamblesë së Zakonshme të Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit. Viti që lamë pas ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, duke pasur parasysh angazhimin e arbitrave tanë në kompeticionet europiane, si Europa League dhe Conference League.
Një risi e rëndësishme është sistemi VAR, i cili na jep mundësinë të jemi më të besueshëm, si dhe rekrutimi i të rinjve në botën e arbitrimit, që është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e këtij profesioni”, – tha Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Bardhyl Jera.
Drejtori Administrativ i FSHF-së, Aldi Topçiu, në fjalën e tij theksoi se prioriteti i Federatës së Futbollit mbetet zhvillimi dhe përmirësimi i kushteve të punës për të gjithë arbitrat. Gjithashtu, ai nënvizoi se FSHF do të krijojë një sistem VAR të centralizuar, për të rritur numrin e ndeshjeve në të cilat sistemi VAR do të implementohet.
“Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, është kënaqësi për mua të jem sot këtu pranë jush. Roli juaj si arbitra është jetik për integritetin e garës sonë, për drejtësinë dhe zhvillimin e futbollit shqiptar. Pa përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin tuaj për të zbatuar ligjet e lojës, futbolli nuk do të mund të rritej dhe të zhvillohej në nivelin që ne të gjithë bashkë synojmë.
Ne e dimë që të jesh arbitër nuk është e lehtë, ju më shumë se të gjithë e dini këtë. Kërkohet vendosmëri, lidership dhe qetësi në momentet kyçe për të marrë vendime të vështira. Për këtë arsye, FSHF po punon në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm për ta përmirësuar zhvillimin tuaj profesional, përmes trajnimeve dhe teknologjisë më të fundit, por edhe për të siguruar që puna dhe kontributi juaj të vlerësohet siç e meritoni.
Kemi krijuar tashmë një traditë interesante për vlerësimin e Arbitrit të Vitit, në Mbrëmjen Gala të fundvitit. Mendoj që kjo është diçka interesante që nxit konkurrencën dhe ambicien në mënyrë të shëndetshme. Po në këtë kuadër, dua të ndaj me ju një zhvillim të rëndësishëm në lidhje me sistemin VAR. Ne po punojmë për të krijuar një sistem VAR të centralizuar, i cili do të mundësojë që të gjitha ndeshjet në një javë të jenë në të njëjtin orar, ashtu si në vendet e tjera të Europës. Kjo do të krijojë shumë lehtësira për çështjet e transportit, por edhe për rritjen e numrit të ndeshjeve në të cilat sistemi VAR do të implementohet.
Gjithashtu, me nismën “Bëhu Arbitër”, ne synojmë të adresojmë një problem shqetësues, i cili nuk prek vetëm arbitrimin, por edhe shoqërinë në përgjithësi.
Po punojmë për të afruar të rinjtë në këtë rol kyç në futboll, për të pasur më shumë të rinj që arbitrojnë. Përmes kësaj fushate, ne të gjithë bashkë duhet t’i inkurajojmë më shumë të rinjtë dhe të rejat që të bëhen pjesë e arbitrimit. Është mundësi e shkëlqyer për të promovuar këtë profesion të rëndësishëm dhe për të siguruar që një brez i ri arbitrash, të përgatitur dhe të motivuar, do të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit jo vetëm në Shqipëri, por edhe përmes arbitrimit në ndeshjet ndërkombëtare.
Zhvillimi i arbitrave dhe përmirësimi i kushteve të punës suaj mbetet një prioritet për FSHF, sepse një arbitrim i fortë dhe i drejtë do të thotë një kampionat më i besueshëm dhe më i suksesshëm”, – tha Drejtori Administrativ i FSHF, Aldi Topçiu.
Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, tha se fokusi kryesor ka qenë përfshirja sa më e madhe e të rinjve në botën e arbitrimit dhe shtoi se në këtë aspekt është bërë një punë e mirë edhe nëpërmjet fushatave të ndërmarra, si “Bëhu Arbitër”.
“Në periudhën midis dy asambleve kanë ndodhur shumë gjëra të rëndësishme, ku fokusi kryesor ka qenë rekrutimi i sa më shumë arbitrave të rinj. Ka disa vite rresht që është organizuar dhe ka funksionuar Akademia e Arbitrimit me iniciativën direkte të Presidentit të FSHF-së. Shoqata ka pasur dhe vazhdon të ketë një bashkëpunim me UEFA-n, ku sot jemi anëtarë me të drejta të plota në Konventën e Arbitrave Europianë, nga e cila marrim një mbështetje modeste financiare. Kemi gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë me FSHF-në, ku jemi edhe anëtarë të saj. Në bashkëpunim me FSHF-në kemi ngritur të gjitha strukturat e arbitrave, siç janë Komiteti i Arbitrimit dhe komisionet përkatëse (caktimit, vlerësimit, vëzhgimit). Një punë e mirë është bërë për edukimin e arbitrave të perspektivës, të ndarë në grupe dhe të udhëhequr nga mentorët.
Tashmë, në bashkëpunim me FSHF-në dhe me nismën personale të Presidentit Duka, është rritur bashkëpunimi me shoqatat rajonale, duke u punësuar edhe një koordinator për çdo shoqatë rajonale. Koordinatori është pika e kontaktit mes shoqatave rajonale dhe shoqatës sonë. Gjithashtu, një nga detyrat kryesore të tyre është rekrutimi i sa më shumë të rinjve për t’u bërë pjesë e botës së bukur të arbitrimit.
Duke vijuar me pjesën e rekrutimit, për t’u përmendur ka qenë fushata “Bëhu Arbitër”, ku të gjithë arbitrat, nga muaji janar e në vazhdim, kanë veshur bluzën me të njëjtin mbishkrim, si edhe do të mbajnë shiritin në krah gjatë gjithë ndeshjes deri në fundin e këtij sezoni”, – tha Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati.