Real Madrid mund të përballet me sanksione nga RFEF spanjolle

Futboll

Real Madrid mund të përballet me sanksione nga RFEF spanjolle

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 17:10
Perez

Kjo vjen pasi Real Madrid kërkoi ‘një rinovim të plotë të sistemit të arbitrimit’ në Spanjë.

Real Madrid mund të sanksionohet nga autoritetet e futbollit spanjoll pasi shumica e klubeve të La Ligës kanë kërkuar dënimin e kampionëve në fuqi, mes një polemike për gjykimin e ndeshjeve në Spanjë.

Kjo vjen pasi Madridi paraqiti një ankesë zyrtare në Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) pas humbjes së diskutueshme të së shtunës në La Liga ndaj Espanyol-it.

Kampionët në fuqi u mposhtën 1-0 gjatë fundjavës, me Carlos Romero që shënoi golin e fitores për Espanyol, pavarësisht se kishte shmangur një karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Kylian Mbappé më herët gjatë ndeshjes.

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, kritikoi ashpër arbitrimin pas humbjes, duke deklaruar:

“Vendimi që morën gjyqtari dhe VAR-i është i pashpjegueshëm. Të gjithë e panë. Më e rëndësishmja është të mbrohet lojtari. Ishte një faull i qartë, një ndërhyrje shumë e shëmtuar. Fatmirësisht, nuk pati një dëmtim, por VAR është aty për këtë. Është e pashpjegueshme që nuk u dha karton i kuq.”

Real Madrid depozitoi një ankesë zyrtare në RFEF kundër arbitrit Muniz Ruiz dhe arbitrit të VAR-it, Iglesias Villanueva, pas ndeshjes.

Në një letër katërfaqëshe, presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, kërkoi regjistrimet audio të ndeshjes dhe bëri thirrje për një reformë të plotë të sistemit të arbitrimit në Spanjë.

Pérez gjithashtu propozoi që Federata Spanjolle të sjellë gjyqtarë nga Premier League për të përmirësuar standardet e arbitrimit në La Liga, si pjesë e reformës së tij të propozuar.

Klube të La Ligës kërkojnë sanksione për Real Madridin

Real Madrid tani përballet me mundësinë e një sanksioni pas një takimi urgjent, ku morën pjesë drejtorë të klubeve të divizionit të parë dhe të dytë, presidenti i La Ligës Javier Tebas, si dhe presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave (CTA), Medina Cantalejo.

Sipas gazetës spanjolle Relevo, shumica e klubeve të La Ligës janë ‘të bashkuara’ kundër Real Madridit, i cili nuk mori pjesë në takimin e së enjtes, dhe kanë kërkuar dënimin e kampionëve të Evropës për ushtrimin e ‘presionit’ ndaj arbitrave.

Një burim i pranishëm në takim thuhet se deklaroi:

“Real Madrid jo vetëm që po tregon mungesë respekti ndaj klubeve të tjera dhe arbitrave, por gjithashtu po tregon se nuk dëshiron të jetë një klub si të tjerët.”

Një drejtor i një klubi të La Ligës e përshkroi takimin si historik:

“Të mund t’u shprehim arbitrove mendimet tona dhe të vazhdojmë të punojmë kështu, në harmoni, është e mrekullueshme. Më parë, nëse kritikoje arbitrat, kishe frikë se do të të ndëshkonin në ndeshjen e fundjavës. Tani jemi të gjithë në të njëjtën tryezë dhe kjo është fantastike.”

Barcelona, rivalët e përbetuar të Real Madridit, thuhet se ishin një nga klubet më të kuptueshme ndaj arbitrave gjatë takimit.

“Mund të kemi bërë gabime në të kaluarën, por tani duam të jemi më pranë jush,” citohet të ketë thënë një nga drejtorët e Barcelonës.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mundësia e kërkimit të regjistrimeve audio të VAR-it, dhe Javier Tebas ishte mes atyre që e mbështetën këtë ide.

Atletico Madrid thumbon Realin para derbit

Real Madrid ndodhet vetëm një pikë përpara Atletico Madrid në krye të La Ligës, përpara derbit të së shtunës në “Santiago Bernabeu”.

Në prag të ndeshjes, Atletico ka thumbuar rivalët e tyre përmes një postimi në rrjetet sociale, si përgjigje ndaj përpjekjeve të supozuara të Realit për të ushtruar presion mbi arbitrat.

Llogaria zyrtare e Atleticos në X (ish-Twitter) publikoi një imazh të ngjashëm me një udhëzues montimi të Ikea-s, me titullin: “Udhëzime bazë për derbin.”

Një nga pikat kryesore të postimit përfshinte: “Përdorimi i kanalit tuaj zyrtar televiziv për të ushtruar sërish presion mbi arbitrat.” 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat