Egnatia, skuadra model

Futboll

Egnatia, skuadra model

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 23:46
Egnatia

Egnatia njeh vetëm fitore në 2025, deri me tani  kryeson  kampionatin dhe hipotekon gjysmëfinalen e Kupës.

Suksesi sportiv ka ardhur falë funksionimit perfekt të klubit që me ndërhyrjet në merkato afroi lojtarët e duhur për trajnerin Tetova.

Egnatia është skuadra e vitit. Mund të duket e çuditshme dhe e parakohëshme kur vetëm një muaj ka kaluar nga viti 2025, por deri tani ky vit ka qenë perfekt për skuadrën kampione në fuqi dhe ligjshëm pretendente numër një për të fituar gjithçka. Humbja e 21 dhjetorit me Dinamon është vetëm një kujtim i largët, pasi që atëherë skuadra e Edlir Tetovës njeh vetëm suksese, shtatë në po aq ndeshje.

Pasi i shtoi vitrinës së trofeve edhe Superkupën më 2024, në gjashtë takime të vitit 2025 Egnatia ka vetëm fitore, katër prej të cilave në kampionat, duke u ngjitur edhe një herë në krye të renditjes. Ndërkohë, në Kupën e Shqipërisë është hipotekuar gjysmëfinalja, pas fitores 3-1 kundër Bylisit në Ballsh, atje ku asnjë pretendent tjetër nuk ka fituar, e madje ka pësuar humbje.

Por nuk janë thjesht rezultatet sportive që e bëjnë Egnatian skuadrën e vitit deri tani. Është funksionimi perfekt në të gjitha hallkat e klubit që ka ndihmuar për të nxjerrë në fushë një skuadër që pa dyshim është më e mira në Shqipëri. Edhe pse vendi i katërt në përfundim të vitit 2024 nuk ishte shqetësues, për shkak të diferencës me kreun e mbi të gjitha për shkak të formulës së kampionatit, klubi ndërhyri për të bërë riparimet e nevojshme.

Bëri afrime lojtarësh cilësorë, e mbi të gjitha lojtarë të provuar jo vetëm në kampionatin shqiptar, si Guindo, Sota, Dajsinani, por edhe te vetë Egnatia, siç ishte rasti i Fernandos, duke reduktuar në minimum kohën e ingranimit në mekanizmat e ekipit. Si rrallëherë me ndonjë trajner, Tetova është shprehur i kënaqur se ka marrë pikërisht lojtarët që i duheshin.

Rezultati është një skuadër që jo vetëm fiton e kryeson, por që ka rikthyer edhe një herë faktorin frikë te kundërshtari. Ndaj Egnatia meriton të quhet në mos skuadra e vitit, pasi vërtet që është ende herët, por të paktën skuadra për t’u marrë shembull deri tani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat