Nga Berlusconi tek Agnelli, nga Rusia te Real Madridi dhe refuzimi i Italisë

Futboll

Nga Berlusconi tek Agnelli, nga Rusia te Real Madridi dhe refuzimi i Italisë

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 11:09
Capello

Në një intervistë të gjatë për “Radio TV Serie A”, Fabio Capello foli për momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke filluar nga marrëdhënia me Silvio Berlusconin. “Ia detyroj gjithçka atij”

“Berlusconi besoi tek unë që nga momenti i parë, më bëri zëvendës të Liedholm, pastaj mora skuadrën në dorë për 5 ndeshjet e fundit dhe fituam ndeshjen vendimtare kundër Sampdorias në Torino 1-0. Më pas u mora me sektorin e të rinjve. Në të njëjtën kohë më dërgoi të studioja, më bëri të ndiqja shumë kurse, sepse besonte tek unë. Kur pati disa probleme për përzgjedhjen e lojtarëve me Arrigo Sacchi, më thirri dhe më pyeti nëse doja të kthehesha”.

“Pranova, sepse më mungonte era e barit. Isha trajner i Real Madridit kur më thirri dhe më tha: Fabio, duhet të kthehesh. Për atë që i detyrohesha, shkova te presidenti i Realit dhe i kërkova leje të largohesha. U ktheva te Milani, ku për ironi të fatit, më shkarkuan brenda të njëjtit sezon”.

Mbi Ronaldon, “fenomenin” brazilianin nënvizoi:

“Silvio Berlusconi bënte shpesh gjëra të paparashikueshme. Kur isha te Real Madridi, i thashë të mos e blinte Ronaldon, “Fenomenin”. I thashë: President, është lojtari më i madh që kam trajnuar, por nuk ka më dëshirë të stërvitet, është mbipeshë dhe nuk dëshiron të humbasë peshë”.

“Ai më falënderoi, por ditën tjetër e bleu (qesh). Megjithatë, Ronaldo mbetet lojtari më i fortë që kam trajnuar. Ishte një kombinim i fuqisë, gjenialitetit dhe shpejtësisë, gjë që nuk e kam parë tek asnjë tjetër. Van Basten ishte një gjeni, por nuk kishte të njëjtën fuqi apo ndryshim ritmi. Ronaldo kishte një kontroll të pabesueshëm mbi topin dhe shpërthim të frikshëm”.

Eksperienca te Real Madrid?

“Të dy periudhat e mia te Real Madridi ishin të mrekullueshme, sepse u shoqëruan me fitore. Në sezonin e parë fituam La Liga-n përpara fundit të kampionatit. Në të dytin, kur Ronaldo u bë një lider negativ në skuadër, e shitëm dhe ekipi ndryshoi tërësisht. Ishim 9 pikë prapa Barcelonës, por u rikthyem, barazuam me ta dhe për shkak të ndeshjeve direkte humbëm titullin”.

“Në një moment vështirësie, i thashë presidentit se nëse unë isha problemi, isha gati të largohesha. Ndeshja e ardhshme ishte në ‘Camp Nou’, nëse do të humbnim, do të më kishin shkarkuar. Barazuam dhe qëndrova”.

Titulli me Romën?

“Ishte eksperienca më e vështirë, sepse të gjitha skuadrat ishin shumë konkurruese. Problemi më i madh në Romë ishte atmosfera. Kur fiton, gjithçka është perfekte, por kur humbet, bëhet dramë. Edhe radiot lokale e ushqejnë këtë atmosferë ekstreme, ndaj në konferencën time të parë thashë:

Nuk jap intervista për radiot brenda unazës së madhe të Romës dhe çuditërisht më mbështetën (qesh). Në vitin e parë bëmë një kampionat të mirë, por në të dytin kuptuam se na duhej një sulmues dhe sollëm Batistutën.

Fituam titullin me meritë, por rreziku më i madh ishte në ndeshjen e fundit kundër Parmës. Ishim në avantazh 3-1 dhe tifozët hynë në fushë për të festuar. Nuk kuptonin rrezikun, sepse nëse një tifoz do të prekte një lojtar të Parmës, mund ta humbnim ndeshjen në tavolinë. Ishte hera e vetme në jetën time kur bërtita si i çmendur (qesh)”.

Juventusi dhe Agnelli?

“Më zgjodhi doktor Umberto Agnelli. Pikërisht në ditën kur u shpalla trajner i Juventusit, ai ndërroi jetë. Gruaja e tij më vonë tha se e kishte pyetur vazhdimisht se kush do të ishte trajneri i ardhshëm i Juves dhe kur mori vesh se isha unë, nuk e priti mirë. Përvoja ime te Juventusi ishte pozitive, skuadra ishte e organizuar dhe shumë e fortë. Pastaj ndodhën disa ngjarje që nuk dua t’i rikujtoj, por i ndiej ato tituj të fituar në fushë. Ishim më të mirët dhe nuk kishim nevojë për asgjë tjetër”.

Endrra për të drejtuar Anglinë?

“Ishte gjithmonë ëndrra ime, sepse nuk e kuptoja si ishte e mundur që një kombëtare e tillë të mos fitonte. Bëmë një fushatë kualifikuesesh të shkëlqyer, por në Botërorin e Afrikës së Jugut arritëm të rraskapitur. Kur po humbnim ndaj Gjermanisë 2-0, shënuam dhe më pas Lampard bëri një gol që u mohua, duke bërë që të futet teknologjia ‘Goal Line’. Ishte një gol i rregullt dhe mund të kishte ndryshuar gjithçka. Kombëtarja angleze ishte fantastike nga shtatori në dhjetor, në mars mesatarisht, ndërsa në qershor pa energji. Kjo ishte pengesa jonë më e madhe”.

Italia, një mundësi e refuzuar?

Më është ofruar drejtimi i Italisë kur luajtëm kundër Spanjës në Udine, por nuk e pranova. Nuk e ndjeva brenda vetes. Gjithmonë i kam bërë gjërat me pasion dhe kur nuk e ndjen, nuk duhet ta bësh.

Eksperienca në Rusi?

Ishte një përvojë e bukur. Gruaja ime ndihej mirë në Moskë, kështu që ishte diçka pozitive. Problemi më i madh ishte komunikimi. Ndryshe nga Anglia, ku mund të flisje, në Rusi ishte shumë e vështirë.

Edhe me përkthyesin më ndodhte shpesh të dyshoja. Unë thoja 10 fjalë, përkthyesi i bënte 30 (qesh). E çuam Rusinë në një Kupë Bote pas 12 vitesh mungesë, por patëm fat të keq me portierët. Pastaj provova edhe Kinën, ku komunikimi ishte po aq i vështirë

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat