Sulmi i Interit “nuk ka jetë” përtej dy titullarëve

Futboll

Sulmi i Interit “nuk ka jetë” përtej dy titullarëve

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 13:10
Pamje nga një ndeshje

Është e vështirë të gjesh diçka pozitive në paraqitjen e Interit mbrëmjen e së enjtes.

Ndeshja ndaj Fiorentinës ishte më e keqja e sezonit për ekipin e Simone Inzaghit, humbja e dytë në kampionat, pas asaj në derbin e 22 shtatorit.

Nuk mund të flitet për krizë, pasi kanë kaluar 137 ditë nga një humbje te tjetra, por disa kambanë alarmi janë ndezur, sidomos për një mbrojtje që ka treguar mangësi të dukshme në “Franchi”. Interi ka pësuar 22 gola në 23 ndeshje, duke pasur mbrojtjen e tretë më të mirë në Serie A, por ka pësuar po aq gola sa gjatë gjithë sezonit të kaluar.

Një tjetër pikë kritike është sulmi. Ekipi ka dy titullarë të nivelit të lartë, Lautaro dhe Thuram, por rezervat janë larg shumë prej tyre. Nga 56 golat e shënuar në kampionat, 21 vijnë nga çifti titullar. Denzel Dumfries, me 6 gola, është shënuesi i tretë më i mirë zikaltër, ndërsa tre sulmuesit rezervë kanë shënuar vetëm dy gola.

Këto janë numra të pamjaftueshëm për një ekip që është ende në garë në të gjitha frontet, si në kampionat, ashtu edhe në Champions League, ku ka të gjitha mundësitë të arrijë larg. Janë kritike këto shifra po te kihen parasysh investimet e bëra për t’i sjellë këta lojtarë sulmues te zikaltrit.

Sa kanë kushtuar Correa, Arnautovic dhe Taremi?
Joaquín Correa është blerë në gusht të vitit 2021 për 31 milionë euro nga Lazio. Paga e tij është rreth 4 milionë euro neto në vit dhe kontrata i skadon më 30 qershor 2025. Në vitin 2023, ai u huazua te Olympique Marseille me detyrimin për ta blerë, por marrëveshja e përhershme nuk u realizua.

Marko Arnautovic ka një pagë rreth 3.5 milionë euro neto në vit. Ai u kthye tek Interi në verën e vitit 2023 për 8 milionë euro, plus 2 bonuse, duke nënshkruar një kontratë 2-vjeçare, që do të skadojë po ashtu më 30 qershor 2025.

Mehdi Taremi, nga ana tjetër, erdhi tek Interi si lojtar i lirë. Ish-lojtari i Portos ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me pagë rreth 3 milionë euro neto në vit, plus komisionet që do të dalin në bilancin e ardhshëm të klubit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat