Van Nistelrooy do të ndajë të njëjtin stol me Amorim në Old Trafford të premten.
Ruben Amorim ka folur për vendimin e tij për të larguar Ruud van Nistelrooy nga stafi i tij teknik përpara përballjes së Manchester United me Leicester City në raundin e katërt të FA Cup.
Van Nistelrooy, i cili iu bashkua stafit të United verën e kaluar bashkë me ndihmësin Rene Hake, u fut në rolin e trajnerit të përkohshëm kur Erik ten Hag u shkarkua në tetor pas një nisjeje të dobët të sezonit.
Holandezi drejtoi ekipin në katër ndeshje, duke qëndruar i pamposhtur me tre fitore dhe një barazim. Thuhet se lojtarët e United dëshironin që ai të qëndronte në klub si një ‘lidhje’ mes stafit dhe ekipit, pasi kishte krijuar një ndikim pozitiv te grupi i liderëve në dhomat e zhveshjes, të cilët vlerësonin aftësitë e tij komunikuese.
Megjithatë, kur Ruben Amorim mori drejtimin e ekipit, vendosi të mos e përfshinte Van Nistelrooy në stafin e tij teknik, një vendim që e la të zhgënjyer dhe të lënduar ish-sulmuesin legjendar të United.
“Në momentin që mora detyrën e përkohshme, thashë se jam këtu për të ndihmuar United dhe për të qëndruar për ta ndihmuar. E kam thënë me gjithë mend dhe për këtë arsye u ndjeva i zhgënjyer. Më lëndoj fakti që duhej të largohesha,” kishte deklaruar Van Nistelrooy në dhjetor.
“Fola me Ruben për këtë çështje, dhe i jam mirënjohës për bisedën që patëm: burrë me burrë, trajner me trajner. Kjo më ndihmoj shumë për ta pranuar dhe për të kaluar menjëherë në diskutime për mundësi të reja.”
Tre muaj më vonë, Van Nistelrooy do të rikthehet sërish në Old Trafford, këtë herë si trajner i Leicester City-t.
Para ndeshjes së FA Cup, Ruben Amorim u pyet për vendimin e tij për të larguar Van Nistelrooy-in, pavarësisht përvojës së tij.
“Nuk ishte një situatë e vështirë, sepse për mua ishte shumë e qartë. Vetëm duhej ta shpjegoja,” tha Amorim. “Ai është një njeri i futbollit dhe e kupton këtë situatë. Kam stafin tim dhe preferoj të punoj me njerëzit që më kanë sjellë këtu”.
“Mund ta mbaja Ruud sepse do të ishte një lëvizje e mirë për mua apo diçka popullore për t’u bërë. Por nuk do ta vendosja Ruud-in para djemve të mi, sido që të ishte situata.”
“Nëse do ta mbaja, ai do të ishte në fund të hierarkisë së stafit tim, dhe kjo nuk do të ishte e drejtë për Ruud. Për ta respektuar, isha shumë i qartë me të. I shpjegova se kam stafin tim dhe do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë.”
“Nuk do ta vendosja një legjendë të këtij klubi si Ruud në fund të hierarkisë së stafit tim. Kështu që ishte një vendim i qartë, shumë i thjeshtë për t’u shpjeguar, dhe ai e mori me klas, ashtu siç është një person me klas.”
Edhe pse si Ten Hag, ashtu edhe Van Nistelrooy kishin një bilanc më të mirë sesa Amorim këtë sezon me United, trajneri portugez e pranoi këtë realitet në konferencën për shtyp.
“Ata ishin më të mirë se unë në stërvitjen e kësaj skuadre. Është e vështirë për mua ta pranoj sepse jam shumë krenar, por e marr këtë situatë si normale,” tha ai.
“Nuk është aspak e çuditshme. Ai (Van Nistelrooy) e njihte ekipin dhe kishte punuar me të. Kam marrë disa vendime të vështira, të cilat ndonjëherë krijojnë probleme dhe tension në ekip.”
Në fund, Amorim shtoi: “Po përpiqem t’i ndihmoj lojtarët të shohin lojën ashtu siç e shoh unë, të përmirësojnë performancën dhe gjithashtu rezultatet.”.