Leni Joro ka zbuluar se Mançester Junajtid po përdor një grup në “WhatsApp” për të provuar të përmirësojë mbrojtjen e tyre që çalon këtë sezon.
Ata janë kritikuar javët e fundit pasi kanë pësuar 10 gola në 11 ndeshjet e fundit në Premier Ligë. “Djajtë e Kuq” shpenzuan shumë gjatë verës, në përpjekje për të përmirësuar prapavijën e tyre, duke investuar 52 milionë paund për Leni Joronë. 19-vjeçari ka vuajtur që atëherë prej dëmtimeve, por tani është duke e forcuar pozicionin e tij si titullar i rregullt në sistemin me tre mbrojtës të Ruben Amorimit.
Ish-mbrojtësi i Lilës ka zbuluar se në një përpjekje për të përmirësuar mbrojtjen e tij dhe atë të skuadrës në tërësi, Amorim ka krijuar një grup në “WhatsApp” që u jep mbrojtësve të tij informacione për kundërshtarët e tyre.
Duke folur me Rio Ferdinand në podkastin e këtij të fundit, ai tha:
“Edukimi është i rëndësishëm. Ne kemi një grup në ‘WhatsApp’ me të gjithë mbrojtësit që dërgojnë video të sulmuesve, lëvizjet e tyre, vrapimet e tyre. Dhe jashtë kësaj unë kam një person që bën shumë video mbi sulmuesin që unë ta njoh.
Unë kisha dikë në Lilë, kështu që vazhdoj të punoj me të. Unë shoh veçanërisht se ku duhet të vrapoj, për shembull nëse mbrojtësi e ka topin, apo për një pasim të gjatë. Ose për një krosim me topin e parë apo të dytë, gjithçka është me të vërtetë e rëndësishme”.