I vendosur për të forcuar repartin mbrojtës, Real Madrid ka vënë francezin William Saliba në krye të listës së preferencave.
Megjithatë, largimi i tij nga Arsenali duket një mision tepër i ndërlikuar.
Gjatë muajve të fundit, është bërë e qartë se formacioni mbrojtës i Real Madridit ka qenë i kufizuar. Largimi i mundshëm i Nacho Fernandez dhe lëndimet e njëpasnjëshme të David Alaba, Eder Militao dhe Antonio Rudiger e kanë detyruar trajnerin Carlo Ancelotti të përdorë lojtarë nga akademia ose të pozicionojë lojtarë jashtë rolit të tyre natyral, si Aurelien Tchouameni në qendër të mbrojtjes.
Për të shmangur përsëritjen e këtyre problemeve në sezonet e ardhshme, klubi madrilen ka nisur punën për sigurimin e një mbrojtësi të ri. Në këtë kontekst, emri i William Saliba është në krye të listës së madrilenëve.
Një operacion i komplikuar
Sipas “RMC Sport”, për shkak të moshës dhe talentit të tij, Real Madrid e ka vendosur Saliban si një prioritet absolut.
Megjithatë, ai është aktualisht nën kontratë me Arsenalin deri në qershor 2027, dhe klubi londinez nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij lehtë.
“Një nga synimet kryesore të Real Madridit është forcimi i repartit të mbrojtjes, ku ‘Los Blancos’ kanë identifikuar një objektiv kryesor, francezin William Saliba. Megjithatë, Arsenali nuk ka gjasa të hapë negociatat për largimin e një lojtari që e konsiderojnë si qendërmbrojtësin më të mirë në botë.
Për ta parandaluar këtë, klubi londinez pritet të kërkojë një shumë astronomike nga Real Madrid”, shkruan gazeta franceze.
Nëse Real Madrid vendos të bëjë një lëvizje konkrete për Saliban, do të përballet me një sfidë të madhe financiare dhe negociuese për të siguruar shërbimet e tij.