Partizani-Tirana është një nga ndeshjet më të shumëpritura jo vetëm për tifozët e kryeqytetit por për të gjithë sportdashësit. Dorian Bylykbashi, si një ish-futbollist i Partizanit, mendon se djemtë e Veselinoviç do ta fitojnë këtë derbi. Por ai thekson faktin se derbi është gjithnjë një derbi, një ndeshje e luftuar, me të papritura, ku skuadrat luajnë me shpirt, pa marrë parasysh pozicionin në renditje.
Derbi i kryeqytetit, ai midis Partizanit e Tiranës mbetet gjithnjë një ndeshjet më të rëndësishme, jo vetëm për renditjen, por edhe nga ana emocionale. Dorian Bylykbashi, si një ish-futbollist i Partizanit mendon se edhe këtë herë, kjo sfidë do të jetë e vështirë, por fituese shikon skuadrën e Veselinoviçit.
“Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit. Derbi mbetet gjithmonë i tillë, pavarësisht renditjes, Partizani është për titull, ndërsa Tirana lufton për mbijetesë. Do jetë një sfidë shumë e vështirë, e luftuar nga të dyja palët, por mendoj se do e fitojë Partizani, për të arritur atë që ka shpalosur që në fillim të kampionatit, fitimin e titullit”.
Përsa i përket ecurisë së deritanishme të Partizanit, Bylykbashi përgjigjet:
“Partizani kishte një fillim jo shumë të mirë, më pas është futur në ujrat e të gjitha ekipeve të tjera pretendente, se po ta shikosh lëvizin me tri pikë vendi i parë me vendin e katërt apo të pestë.
Ka patur probleme pas largimit të katër lojtarëve më të mirë të ekipit, sepse në këndvështrimin tim nuk janë zëvendësuar ashtu siç duhet. Ndoshta lojtarëve që kanë ardhur në janar u duhet dhënë kohë”.
Ndërsa për i përket, luftës për final-four, Bylybashi mendon se skuadrat që do të luftojnë për titullin janë përcaktuar tashmë.
“Mendoj se Final Four është një çështje e mbyllur, pavarësisht që do kisha dëshiruar që të bashkohej dhe Elbasani. Egnatia që është në vend të parë është vetëm tri pikë larg nga vendi i katërt. Mendoj se do jetë një luftë mes këtyre katër ekipeve”.