Santiago Gimenez, sulmuesi i ri i Milanit, ka rrëfyer historinë e tij në një intervistë të gjatë për “Milan TV”.
Kjo është përgjigja e tij mbi rëndësinë e shënimit të golave dhe mënyrën se si i përulet Zotit për shkak të besimit të tij të thellë fetar:
Për golin: “Ka një kuptim që shkon përtej futbollit.
Ndoshta dikush mund të thotë se unë këmbëngul shumë te besimi, por të falënderosh Zotin në gjunjë, përpara gjithë stadiumit dhe miliona kamerave, është mënyra më e mirë për t’i dhënë lavdi dhe për të qenë shembull se me Zotin gjithçka është e mundur.
Për një sulmues, të shënojë është gjithçka. Sulmuesit jetojnë për golin, mënyra e vetme për t’ua kthyer lumturinë tifozëve, për t’ua shpërblyer për gëzimin që të japin, është të shënosh shumë gola dhe t’i bësh të festojnë sa më shpesh”.
Për besimin në Zot: “Për mua është gjithçka. Në një moment, kur nuk gjeja rrugën time, u takova me Jezu Krishtin dhe Ai më tregoi rrugën e duhur. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Besoj se me Zotin gjithçka është e mundur. E fillova këtë rrugëtim kur kisha një trombozë në krah dhe mjekët më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. Pikërisht atëherë e njoha Krishtin dhe Ai bëri një mrekulli, duke më lejuar të rikthehem në fushë”.
Për numrin 7: “Numri 29 është ai me të cilin debutova dhe e mbajta edhe te Feyenoordi. Ai numër është i veçantë për mua, ashtu si edhe numri 11 që mbaj në kombëtare. Te Milani, numri 7 ishte i lirë dhe u përpoqa t’i jepja një kuptim. Edhe në Bibël, ai është numri i përsosur”.
Për këshillën më të mirë që ka marrë: “Mbaj mend kur më thanë se duhej të ndaloja së luajturi futboll. U mbylla në dhomën time dhe e pyeta babain pse po më ndodhte kjo. Ai më tha se nuk e dinte, se duhej ta pyesja Zotin.
Dhe me atë këshillë, jeta ime ndryshoi plotësisht. Aty fillova rrugëtimin tim me Zotin dhe me besimin”.