Ja dilemat e Serxho Konseisaos kundër Empolit

Futboll

Ja dilemat e Serxho Konseisaos kundër Empolit

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 11:51
Serxho Konseisao

E tregoi në derbi dhe gjatë gjithë karrierës së tij si trajner, veçanërisht në Porto: Serxho Konseisao është mësuar të mos luajë me vetëm një sistem loje.

Atij i pëlqen të ndryshojë në varësi të kundërshtarëve dhe momenteve të ndeshjes, duke u qëndruar besnik parimeve të hekurta si intensiteti dhe agresioni konstant i kombinuar me kërkesën për sakrificë në mbrojtje edhe nga sulmuesit. Në fund të një merkatoje kaq aktive, është e natyrshme të mendosh për mundësitë e shumta taktike që mund të shfrytëzojë tekniku portugez.

Mbrojtja mund të jetë me 4 ose 5 lojtarë, qoftë si formacion fiks ose në varësi të momenteve të caktuara të sfidave. Musah mund të veprojë si mesfushor në të djathtë dhe më pas të kalojë në krah të mbrojtjes, duke spostuar më në qendër Uokerin. Ideja bazë mund të jetë 4-2-3-1, me Fofana dhe Reijnders pas tre fantazistëve (Pulisiç, Zhoao Feliks dhe Leao nga e djathta), pas shpinës së Gimenezit, si ndaj Romës.

SKEMAT E TJERA – Në një 4-3-3, fokusi do të jetë te dy anësorët (Pulisiç ose Zhoao Feliks dhe Leao), të cilët gjithashtu mund të lëvizin drejt qendrës për të shfrytëzuar kombinimet e ngushta me Gimenezin. Gjatë ndeshjes ose kundër skuadrave veçanërisht të mbyllura, do të ketë mundësi të ketë dy anësorë të lartë, me Sotil në një nga dy korsitë dhe Zhoao Feliks në pozicionin e fantazistit prapa sulmuesit qendror. Në raste të tjera, atëherë, mund të përdoreshin dy sulmues të fortë, Abrahami bashkë me meksikanin, me anësorë të thirrur për të krijuar epërsi numerike dhe më pas për të shfrytëzuar krosimet.

Në mesfushë Bondo mund të jetë një alternativë e mirë si i tretë mesfushe, por, mbi të gjitha, ka aftësinë të krijojë dendësi në atë zonë të fushës duke lejuar gjithashtu përdorimin e një 4-2-3-1 ose një 4-4-2, pa çekuilibruar shumë ekipin, siç u pa ndaj Romës në minutat e fundit kur Milani edhe shënoi.

Kësaj i shtohet edhe shkathtësia e Reijndersit, i cili mund të përdoret në një mesfushë me tre lojtarë ose si fantazist. Ka shumë opsione taktike dhe Konseisao i ka njohuritë e duhura taktike për të krijuar një ekip eklektik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat