Arrigo Sacchi ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për dy përforcimet e reja të Milanit në sulm: “E kam ndjekur Gimenez në Holandë, por dua ta shoh përballë futbollit italian.
Nuk i mungojnë numrat. Joao Felix është një premtim i madh, që ende nuk është realizuar. Ka cilësi teknike. Te Milani, në një ambient ku ndihet i rëndësishëm, mund të gjejë dimensionin e tij të vërtetë”.
Konkurrenca, sipas Sacchi, do t’i bëjë mirë edhe Leaos: “Duhet të zgjohet, nuk mund të luajë mirë vetëm një ndeshje nga tre. Vazhdimësia është cilësi thelbësore për një kampion.
Në këtë rast, nëse ai nuk është në formën e duhur, do të jetë dikush tjetër gati për ta zëvendësuar. Kjo do t’i japë Conceicaos më shumë zgjidhje, edhe nga ana taktike. Mund të luhet me një dyshe sulmuese, me tre sulmues, ose edhe me një 4-4-2 shumë ofensiv”.
A është tani sulmi i Milanit më i fortë se ai i Interit? Sacchi përgjigjet kështu: “Dysheja Lautaro-Thuram është më e mira në Itali. Sigurisht, kuqezinjtë e kanë ngritur nivelin dhe, mbi të gjitha, kanë alternativa të vlefshme.
Por, dhe këtu dua të ngul këmbë, më e rëndësishmja është që Conceicao t’i japë skuadrës një stil loje. Kur ka një stil loje, edhe të rinjtë përshtaten më lehtë. Nëse nuk ke stil loje, nuk mund të jesh protagonist”.