Kompania Sega ka konfirmuar se ka anuluar video-lojën Football Manager 25.
Raporti mbi të ardhurat tremujore të Segas ka zbuluar se është ndërprerë zhvillimi i Football Manager 25.
“Ndonëse shumë aspekte të lojës arritën objektivat e tyre, përvoja e përgjithshme e lojës dhe ndërfaqja nuk janë në nivelin e duhur”, thuhet në deklaratën e Segas.
Kompania ka dhënë arsyet më të detajuara për anulimin e zhvillimit.
“Synuam të sillnim një evolucion të madh në seri duke rinovuar ndërfaqen e përdoruesit dhe grafikën, si dhe duke shtuar elemente të reja, por kuptuam se duhej më shumë kohë sesa pritej për të siguruar cilësinë e duhur. Me anulimin e këtij titulli, po përqendrohemi në zhvillimin e pasardhësit të tij, i cili do të marrë burimet zhvillimore”, thuhet në njoftimin e Segas.
Kjo situatë kujton veprimet e EA-së, e cila “kaloi” disa edicione të NBA Live gjatë viteve 2010. Gjithashtu, është një zhgënjim për lojtarët, pasi versioni i vitit të kaluar nuk do të marrë një përditësim për të mbushur boshllëkun derisa Sega dhe Sports Interactive të fokusohen në FM26.
Të gjithë ata që kishin bërë paraporosi do të marrin paratë e tyre mbrapsht.