Derbi i zjarrtë i kreut

Futboll

Derbi i zjarrtë i kreut

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 12:30
Mbappe e Griemnann

Pasi kaloi momentin e vështirë në Kupë, ku të bardhët mposhtën Leganés për të arritur në gjysmëfinale të turneut, ekipi i Carlo Ancelotti do të përballet me një ndeshje të vështirë për shkak të mungesave në mbrojtje.

Duhet sfiduar pikërisht Atlético Madridi (sonte në mbrëmje, prej orës 21:00) në një tjetër edicion të derbit madrilen, me nevojën për të marrë tri pikë, mbajtur kreun e La Liga-s dhe krijuar përsëri distancë ndaj ndjekësve të afërt.

Nuk është rastësi që të bardhët përballen me të kuqtë, ose më saktë, vendi i parë me të dytin në renditje. Për më tepër, duhet kujtuar se të bardhët nuk kanë fituar kundër të kuqve në fushën e tyre në La Liga që nga dhjetori i vitit 2021 (sezoni 2021-2022), kur triumfuan 2-0, me gola të Benzema dhe Marco Asensio.

Që nga atëherë, “rojiblancos” kanë marrë dy barazime 1-1 në vizitat e tyre në La Liga.

Për këtë derbi, Carlo Ancelotti rikthen pesë lojtarë që ishin të lënduar në ndeshjen e Kupës: Thibaut Courtois (belgu mori pushim. Bilanci i tij në La Liga kundër të kuqve, duke luajtur në ‘Bernabéu’, është tri fitore dhe dy barazime. Në katër prej tyre e ka mbajtur portën e tij të pastër kundër të kuqve), Lucas Vázquez, Eduardo Camavinga, Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham. Sidoqoftë, ka sërish mungesa të ndjeshme në mbrojtje si ato të David Alaba, Antonio Rüdiger, Eder Militao (në stërvitjen e fundit të javës, braziliani doli në fushë dhe madje preku topin) dhe Dani Carvajal (mungesë afatgjatë).

Mungesat e dy qendërmbrojtësve do të mbulohen nga Tchouameni, i cili do të lërë pozicionin e tij si “pivot”, ku luajti të mërkurën në Kupë, dhe Raúl Asencio, i cili do të debutojë në këtë mënyrë në derbin e tij të parë me ekipin e parë. Dilema që ka Ancelotti lidhet me pozitat e mbrojtësit të majtë: Fran García ka një avantazh të caktuar ndaj Mendy, kështu që ka më shumë mundësi të startojë. Francezi mund të qëndrojë në stol për t’u ruajtur për “finalen” tjetër të javës së ardhshme, ndeshjen e parë të “play-off”-it të Champions League kundër Manchester City.

Në mesfushë, Ancelotti do të luajë me çiftin Valverde dhe Ceballos, më fizikë, për t’u përballur me De Paul dhe me zgjedhjen e Simeone ndërmjet Barrios dhe Koke. Modric dhe Arda Güler do ta presin mundësinë e tyre në stol. Nëse trajneri italian nuk vendos të bëjë ndonjë ndryshim në moment të fundit dhe të vendosë të luajë me tre mesfushorë, atëherë i sakrifikuari do të jetë Rodrygo. Ai mund të futë Modric, ose përndryshe Brahim, më punëtor në sulm dhe mbrojtje.

Bellingham, Vinicius, Mbappé dhe Rodrygo do të formojnë sulmin e Real Madridit (të katër kanë shënuar 62 gola nga 93 që ka ekipi i bardhë në total). Vetëm ky i fundit ishte titullar kundër Leganés, ndërsa Vinicius hyri në pjesën e dytë. As Bellingham dhe as Mbappé nuk luajtën në Butarque për t’u ruajtur për dy ndeshjet e ardhshme të ekipit.

Për Kylian, ky do të jetë derbi i tij i parë me fanellën e bardhë, pasi nuk mundi të luante në atë të zhvilluar në “Metropolitano”, në fund të shtatorit 2024, për shkak të një lëndimi muskulor. Nga ana tjetër, Bellingham ka një bilanc negativ ndaj të kuqve të Simeone: pesë ndeshje të luajtura, një fitore, dy barazime dhe dy humbje, pa shënuar asnjë gol…

Kështu, formacioni i mundshëm i Real Madridit do të jetë: Courtois; Lucas Vázquez, Tchouameni, Asencio, Fran García ose Mendy; Valverde, Ceballos; Rodrygo, Bellingham, Vinicius; dhe Mbappé. Ata që do të presin mundësinë e tyre në stol janë lojtarë si Modric, Brahim, Endrick dhe Gonzalo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat