Guardiola nuk fshihet

Futboll

Guardiola nuk fshihet

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 15:08
Guardiola e Ancelotti

Pep Guardiola dha konferencën e tij të parë për shtyp pas mbylljes së merkatos dimërore dhe foli për përforcimet e Manchester City, mungesën e Rodrit, si dhe sfidën e Champions League ndaj Real Madridit.

Manchester City ishte klubi që shpenzoi më shumë në këtë merkato dimërore, duke arritur një total prej 212 milionë eurosh. Përveç Abdukodir Khusanov (Lens), Vitor Reis (Palmeiras) dhe Omar Marmoush (Eintracht Frankfurt), City nënshkroi edhe me mesfushorin galician Nico González nga Porto për 60 milionë euro.

Guardiola u shpreh i kënaqur me këtë blerje, duke thënë: "Ishte një pozicion ku kishim nevojë për përforcime, pas mungesës së Rodrit. E njoh Nicó që nga akademia e Barcelonës, babai i tij ka punuar këtu. Jam shumë i lumtur që klubi bëri përpjekje për ta sjellë tek ne për vitet e ardhshme".

Rodri, element kyç në skemën e Guardiolës, vazhdon të rikuperohet nga një dëmtim serioz i pësuar në shtator. Edhe pse rikthimi i tij është ende i largët, ai është përfshirë në listën e Champions League për fazën me eliminim direkt. Ndërkohë, Nico González pritet të marrë minuta të rëndësishme në këtë periudhë.

Përpara përballjes me Real Madridin në Champions, skuadra e Guardiolës do të luajë kundër Leyton Orient në “FA Cup”. Trajneri iberik theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe kujtoi vështirësitë që ekipi i tij ka hasur në të kaluarën ndaj skuadrave nga ligat e ulëta:

"Gjithmonë kemi pasur vështirësi në këtë kompeticion, kur luajmë jashtë fushe ndaj ekipeve të Championship, ‘League One’ apo madje edhe ‘League Two’. Sidoqoftë, jemi të përgatitur për sfidën".

Megjithatë, spanjolli nuk e fshehu se mendimet e tij janë të fokusuara edhe te Real Madridi: "Sigurisht që e kam në shënjestër Real Madridin, por për momentin duhet të fokusohemi te Leyton Orient. Pas kësaj ndeshjeje do të kthehemi në Manchester dhe mund të fillojmë të flasim për sfidën ndaj Real Madridit".

Manchester City dhe Real Madridi do të përballen në një tjetër betejë epike në Champions League, kësaj here që në “play off”. Kjo përballje ka dhuruar spektakël në vitet e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat