Thiago Motta është i kënaqur me fitoren 2-1 kundër Comos dhe me paraqitjen e përgjithshme të Juventusit. "Kam ndjesi të mira, sepse të luash kundër Comos dhe në këtë stadium nuk është e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë për askënd.
Ata kanë një skuadër që luan futboll shumë të mirë, të vendosin në vështirësi dhe nëse nuk je i vëmendshëm, mund të të sulmojnë në shumë mënyra dhe situata të ndryshme. Ne bëmë një paraqitje shumë të mirë, ishim të kujdesshëm, – tha trajneri italo-brazilian për “Sky Sport”.
– Sigurisht që mund të përmirësohemi, por bëmë atë që duhej për të marrë fitoren.
Jam i lumtur, veçanërisht për djemtë, sepse e meritojnë. Që nga dita e parë kam thënë se këta lojtarë punojnë dhe angazhohen gjithmonë në maksimum, duan gjithmonë të japin më të mirën dhe të fitojnë.
Sot arritën ta bënin këtë, falë atyre që nisën ndeshjen dhe sidomos atyre që hynë më vonë. Jam shumë i kënaqur sepse, në momentet e vështira të ndeshjes, ata që erdhën nga stoli bënë diferencën"
Si ju duk ndeshja: “Puna jonë bazohet te rezultatet, fitorja dhe rezultati final kanë rëndësi. Një trajner duhet të zbatojë idetë e tij dhe t’ua shpjegojë lojtarëve rrugën që duhet ndjekur. Idetë e Fabregas janë të mrekullueshme, Como na vuri në vështirësi dhe e përgëzoj për këtë. Jam i lumtur për këtë fitore”.
Në çfarë niveli është Juventusi: “Jam i bindur për rrugën time, nuk ka kohë për të humbur. Duhet të fitojmë dhe t’i bindim lojtarët të japin maksimumin. Duhet ta them se këta djem angazhohen maksimalisht dhe po bëjnë mirë. Fitorja sjell energji dhe entuziazëm. Sot e menaxhuam mirë ndeshjen, përveç golit të pësuar para pushimit”.
Çfarë duhet përmirësuar: “Duhet të jemi më të kujdesshëm në menaxhimin e situatave dhe posedimin e topit. Ishim më të mirë në pjesën e dytë sesa në të parën. Kemi një bazë të mirë, Locatelli është i aftë në këtë aspekt. Jam i kënaqur edhe me Renato Veiga, bëri një paraqitje shumë të mirë”.
Kolo Muani ka shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e para me Juventusin: “Po ecën mirë, shënon gola, por mund të bëjë edhe më mirë. Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të punojë.
Një sulmues nuk bën vetëm gola, ka shumë aspekte të tjera që duhet të kontribuojë. Po e ndihmon ekipin, të gjithë kanë momentet dhe cilësitë e tyre”.