Jesus Vallejo do të jetë lojtari i parë që do të largohet nga Real Madrid-i në afatin kalimtar të verës. Pavarësisht se mungesat në mbrojtje e kanë detyruar Ancelotti-n të kërkojë zgjidhje të improvizuara, mbrojtësi nuk ka qenë pjesë e planeve të skuadrës as në momentet e nevojës më të madhe.
Mungesa e besimit tek ai reflektohet në minutat e pakta që ka luajtur këtë sezon, me vetëm një paraqitje të shkurtër kundër Deportivo Alaves në vjeshtë.
Lojtari, i vetëdijshëm për situatën e tij, ka thyer heshtjen në rrjetet sociale me një mesazh në të cilin lë të kuptohet përkushtimi ndaj punës së përditshme.
Megjithatë, e ardhmja e tij në klub është e vulosur dhe ai do të largohet nga “Los Blancos” pa pasur asnjë ndikim në sezonin aktual.
Prioriteti i Real Madrid është të forcojë mbrojtjen e tij me nënshkrime të reja dhe të lirojë lojtarë në skuadër. Në këtë kuadër, largimi i Vallejo-s nuk është surprizë, pasi roli i tij ka qenë simbolik vitet e fundit.
Nuk dihet ende se ku do të përfundojë, por me shumë gjasa do të kërkojë një skuadër Brenda La Liga-s ku të rifitojë vazhdimësinë dhe kohën e lojës.