Tirana më aktive në sulm, Partizani më i rrezikshëm para portës

Futboll

Tirana më aktive në sulm, Partizani më i rrezikshëm para portës

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 18:30
Pamje nga një ndeshje

Partizani dhe Tirana do të përballen për herë të tretë këtë sezon ditën e diel, në një derbi që vjen në një moment jo shumë të mirë për të dyja skuadrat. Bardheblutë ndodhen në vendin e 9-të në renditje dhe po kalojnë një periudhë të vështirë, ndërsa të kuqtë kanë humbur terren me kreun pas dy barazimeve radhazi.

Megjithatë, statistikat tregojnë një tjetër histori për Tiranën. Bardheblutë janë një nga skuadrat më aktive në fazën sulmuese, pasi renditen të tretët për numrin e krosimeve për ndeshje (më shumë se 16), të dytët pas AF Elbasanit për goditje këndi dhe të dytët pas Egnatias për cilësinë e rasteve të krijuara për gol.

Por problemi kryesor mbetet saktësia përpara portës. Tirana është skuadra me më pak goditje në kuadratin e portës, pasi vetëm një në katër tentativa është e saktë.

Në një kampionat të ekuilibruar si ky, çdo ndeshje mund të ndryshojë rrjedhën e sezonit. A mund të shërbejë derbi si pika e kthesës për Tiranën? Përballë do të ketë Partizanin, që është skuadra me më shumë goditje në portë në kampionat dhe që renditet i dyti për driblime të suksesshme për ndeshje (pas Skënderbeut).

Ndeshjet derbi janë gjithmonë të paparashikueshme. Të dielën, në “Arenën e Demave”, pritet një sfidë emocionuese, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren, jo vetëm për pikët, por edhe për krenarinë e kryeqytetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat