Është inauguruar sot investimi më i fundit i FSHF-së në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, një projekt që synon të krijojë kushte më të mira për përgatitjen e futbollistëve të rinj.
Në këtë event, që u zhvillua para ndeshjes Skënderbeu U15 – Shënkolli U15, morën pjesë Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Kombëtares, Jani Kaçi, dhe Kryetari i SHRF Korçë, Ilirjan Përmeti.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, tha se synimi i FSHF-së është të rrisë sa më shumë numrin e fushave sportive, në mënyrë që të rinjtë të stërviten në kushte sa më të mira.
“Synimi i Federatës së Futbollit është të rrisim sa më shumë numrin e fushave ku do të stërviten të rinjtë.
Pa fusha të mira, ne nuk mund të kërkojmë cilësi. Do të vazhdojmë në bashkëpunim me Qeverinë dhe Bashkitë për të rritur numrin e fushave. Synimi i Federatës së Futbollit është që në vitin 2030 të dyfishojmë apo trefishojmë sasinë e fushave stërvitore ku mund të luajnë fëmijët tanë”, – tha Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj.
Ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Kombëtares, Jani Kaçi, vlerësoi Federatën e Futbollit për krijimin e ambienteve moderne sportive.
“Sot këta djem janë të nderuar dhe të respektuar. Duhet t’i jenë mirënjohës Federatës së Futbollit që ka investuar në krijimin e ambienteve moderne sportive. Falënderoj FSHF-në”, – tha Jani Kaçi.
Ky impiant në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për klubet dhe akademitë e futbollit në zonë, duke u ofruar futbollistëve kushte më të mira për stërvitje.