Gvozdenoviç: Egnatia ka pika të dobëta, i ndal Elbasani im E

Futboll

Gvozdenoviç: Egnatia ka pika të dobëta, i ndal Elbasani im E

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 19:30
Gvozdenoviç

lbasani ka një detyrë të vështirë këtë të diel, kur i duhet që të ndalë kampionët në fuqi të Superiores, të cilët vijnë pas 7 fitoreve radhazi.

Egnatia është ekipi i momentit në kampionat, qëndron në krye të klasifikimit, por trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, mendon se skuadra e tij është në gjendje ta përballojë këtë kundërshtar.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri serb vlerëson Egnatian, por gjithashtu shprehet se Elbasani do të përpiqet ta godasë në pikat e dobëta.

“Deri tani situata me lojtarët është e mirë, përveç Hakajt edhe Lleshit që janë të dëmtuar.

Do të bëjmë edhe stërvitjen e fundit, grumbullimin dhe më pas me stafin do të vendosim për titullarët dhe detajet e tjera.

Ne jemi gati, e dimë që do të jetë një ndeshje e bukur dhe e vështirë njëkohësisht. Them e bukur, pasi është si derbi, ndërsa e vështirë është sepse Egnatia është një skuadër e mirë. Kemi respekt për të, për rezultatet që ka pasur dhe ato që ka arritur vitet e fundit”, u shpreh fillimisht Gvozdenoviç rreth situatës para kësaj sfide.

MERAKU – Për trajnerin Gvozdenoviç, Elbasani ka mundësi ta përballojë me sukses Egnatian, por shpreson që ekipi të përmirësojë pasin e fundit, ku ka vuajtur jo pak së fundi. “Jemi gati për Egnatian, do të bëjmë edhe analizën nesër (sot). E dimë që kundërshtari ka shumë pika të forta, por ka edhe të dobëta, si çdo ekip. Mendoj për skuadrën time dhe them se pjesa e dytë me Tiranën dhe 90 minutat me Vllazninë kanë qenë pozitive. Tani kemi nevojë për vazhdimësi. Për të rregulluar, e kam thënë, kemi pasin e fundit. Në këtë aspekt mund të bëjmë paksa më mirë ndaj Egnatias që të marrim rezultat pozitiv”, vijoi më tej tekniku i Elbasanit.

MUNGESA E LLESHIT – Mungesa kryesore në ndeshjet e fundit të verdhebluve është ajo e sulmuesit Arsen Lleshi. Gvozdenoviç gjithsesi ka besim te sulmuesit e tjerë. “Tani, për fat të mirë, kam lojtarë në dispozicion dhe kam shumë besim te Ze Gomesh dhe Tsague si sulmuesit tanë kryesorë. Na vjen keq që na mungon Lleshi, por kam besim te lojtarët që kam gati në skuadër. Sigurisht, nëse do të ishte edhe Lleshi, do të ishte akoma më mirë, por për momentin duhet të fokusohemi te grupi që kemi”, sqaroi serbi i stolit elbasanas.

PRESIONI – Fakti që vjen nga disa ndeshje pa fitore mund ta vërë në presion Elbasanin, por trajneri Gvozdenoviç e sheh ndryshe. Ai e sheh në aspektin pozitiv presionin në futboll. “Tek Elbasani dhe përgjithësisht në futboll ka gjithnjë presion. Më kujtohet kur fituam tri ndeshje radhazi dhe sërish kishim presion. I tillë është futbolli, presion ka në çdo ndeshje dhe unë nuk e shoh si një problem, por si një arsye më shumë për të dhënë të gjithë maksimumin në kampionat dhe në Kupë.

Shpresojmë ta kemi grupin sa më të plotë, ndërsa atmosferën e kemi pozitive. Për mua presioni nuk është i keq, por na bën mirë për të bërë më shumë”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat