Real Madridi do ta nderojë Marcelon para derbit me Atletico Madridin

Futboll

Real Madridi do ta nderojë Marcelon para derbit me Atletico Madridin

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 19:33
Marcelo

Më herët gjatë kësaj jave, ikona e Real Madridit, Marcelo Vieira njoftoi pensionimin e tij nga futbolli në moshën 36-vjeçare. 

Reprezentuesi brazilian kishte mbetur pa klub që prej se u largua nga Fluminense në fund të nëntorit dhe pas dy muajsh, ai vendosi të ‘var këpucët në gozhdë’. 

Marcelo do të mbetet një figurë ikonike tek Real Madridi, ku shumë prej njerëzve e vlerësojnë atë si mbrojtësin e majtë më të mirë në histori. 

Florentino Perez e vlerëson atë shumë dhe për këtë arsye ai ka marrë vendim për ta nderuar Marcelon para fillimit të derbit ndaj Atletico Madridit. 

Këtë e ka bërë të ditur vet klubi përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale. 

“Marcelo do të nderohet në derbin e kësaj të shtune në Santiago Bernabeu. Stadiumi ynë do ta ketë mundësinë që t’i thotë lamtumirë brazilianit, i cili të enjten njoftoi pensionimin e tij si futbollist profesionist”. 

“Marcelo është një nga legjendat e mëdha të klubit tonë dhe botës së futbollit. Gjatë 16 sezoneve tek Real Madridi, ai fitoi 25 tituj në 546 ndeshje”, thuhej në njoftimin e klubit madrilen. 

Ish-reprezentuesi brazilian u largua nga Real Madridi si një prej lojtarëve më të suksesshëm në aspektin e trofeve të fituar kështu që e ka merituar t’i thotë lamtumirë turmës në ‘Santiago Bernabeu’ për herë të fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat